(Dy fjalë të shkurtëra për librat mbi detarët, peshkatarët dhe Glosarin e Hajro Ulqinakut)
Këtu nuk do të ndalem në detaje të asnjë vepre të Ulqinakut. Qëllimi i kësaj shkrese është profetizimi eventual imi mbi vlerën kapitale të tyre në të ardhmen e largët (ndonëse vlera e tyre është edhe në ditën e sotit e padiskutueshme).
Pikërisht për këtë, të bëhej një paralele midis Hafis Ali-dhe Hajro Ulqinakut nuk është aspak një gjë e tepruar. Si njëri, sikundër edhe tjetri, kanë jetuar e punuar një kohë të gjatë jashtë Ulqinit.
Dihej mirëfilli se Hafiz Ali Ulqinaku na ka lënë një fjalorë turqisht-shqip, nga ku mund të nxirrej (nga studjuesit e gjuhës dhe të tjerë) se si është folur shqipja në Ulqin, dhe më gjerë, këtu e më se njëqind vjetë më parë. Një thesar ky me një vlerë të pakontestueshme. Në kohën kur fjalori i Hafiz Alisë e pa dritën e diellit, dokumente të shkruara mbi Ulqinin dhe të folmen e popullatës së tij, ka pasur fare pak. Por ky fakt (se kishte, pra, pak dokumente të shkruara mbi Ulqinin në atë kohë) nuk e bëri atë fjalor aq të (pa)njohur në kohën e tij. Ndonëse, pra, i rrallë, ai sigurisht nuk ka tërhequr kërshërinë e opinionit asokohe, sa e tërhoqi (dhe gjithnjë e tërhek) një shekull e ca më vonë (në lidhje me këtë konstatim timin, ndonëse spekulativ, mbi popullaritetin e veprës së Hafiz Alisë në kohën kur ajo u shkrua dhe u publikua, mund të shtoj vetëm se këtu nuk e kam qëllimin ta vë vlerën e asaj vepre nën teh të briskut, fjala është për diçka tjetër, gjë që do të shihej më vonë).
Kur isha ende i vogël (mbase 10-12 vjeç) e pata pyetur babanë se, kush e ka ndërtuar një virane që ndodhej jo larg shtëpisë sonë!? Ai vetëm rrudhi krahët.
Disa vjetë më vonë, tashmë në moshën madhore, ia pata bërë po të njëjtën pyetje, duke i thënë që, po ta kishte pyetur ai babanë e vet dhe, babai i tij (pra, gjyshi im), ta kishte pyetur babanë e vet, sot i kisha treguar birit tim se kush e kishte (dhe kur ishte) ndërtuar ajo ndërtesë që sot është gërmadhë.
Në këtë bashkëdyzim, duke mos u përqëndruar, pra, në detaje të asnjërës prej atyre veprave, mund të thuhej se shkrimet e Ulqinakut mbi detarët dhe detarinë, peshkatarër dhe peshkatarinë, sikurse edhe Glosari i tij, do t´u rritej vlera me kalimin e kohës. Vlera e këtyre veprave, në të ardhmen e largët, për studjuesit e ardhshëm, do të ketë vlera kapitale. Ata (studjuesit e ardhshëm, pra), në saje të faktit se në të kaluarën e largët ka ekzistuar njëharë Hajro Ulqinaku dhe i ka mbledhur këta dokumente, duke i sistemuar dhe publikuar në libra respektivë, do ta kenë shumë më lehtë, seç e kemi ne sot, të publikojnë studime mbi të kaluarën e këtij mjedisi (Ulqinit).
Vetëm ky konstatim (që kësaj radhe nuk është një spekulim, por një fakt që sigurisht do të vërtetohej në të ardhmen) i bën këto vepra të mëdha.
Ata që ndajnë mendimin se veprat e përmendura kanë një vlerë të vogël, apo mesatare, duhet të lindin sërish për njëqind apo dyqind vjetë, që ta shohin sa gabim e kishin pasur!