Jusuf Lika: Ulqinakët morën pjesë në ndërtimin e Kanalit të Suezit

Ulqinakët ndiheshin si në shtëpinë e tyre në të gjitha portet e Mesdheut në shekujt XVIII dhe XIX. Këta detarë me përvojë kishin lidhje të veçanta me Aleksandrinë (Al Iskandariyah) ku kryesisht transportonin lëndë druri dhe sillnin erëza nga Lindja në Evropë.

Bashkëpunimin e lehtësoi edhe fakti se Egjipti drejtohej nga një dinasti e themeluar nga Muhamed Aliu, me origjinë shqiptare dhe se ky vend (Misiri pjellor), ashtu si Ulqini, ishte pjesë përbërëse e shtetit osman.

Kjo është arsyeja pse banorët e Ulqinit u përfshinë në ndërtimin e strukturës më madhështore që bota kishte parë ndonjëherë – Kanalit të ri të Suezit, një rrugë artificiale detare nëpër shkretëtirën egjiptiane që lidhte Mesdheun dhe Detin e Kuq, duke e bërë lundrimin nga Evropa në Lindjen e Largët shumë më të lehtë, më të shkurtër dhe më të thjeshtë.

Në këtë projekt ndërtimor (1859-1869) morën pjesë edhe pronarë anijesh dhe detarë të njohur ulqinak.

Kapidan Mehmet Beci (1830-1907) bleu aksione në Ndërmarrjen e ndërtimit të Kanalit të Suezit dhe anijet e tij u angazhuan në punime. Në këtë mënyrë ai siguroi një fitim të konsiderueshëm. Por, gjatë “krizës së Ulqinit” të viteve 1878-1880, kur ai krahas Mehmet Gjylit u vendos në krye të mbrojtjes së qytetit, shiti aksionet që zotëronte në atë shoqëri. Në këtë mënyrë ai financoi vullnetarët që vinin në Ulqin për të ndihmuar mbrojtësit nga viset e tjera të Shqipërisë, në radhë të parë nga Shkodra.

Në ndërtimin e Kanalit të Suezit me anijen Adlije, me kapacitet 100 tonë, përveç kapidan Becit, sipas dëshmisë së Myrto Myrtezës (1948-2020), ka marrë pjesë edhe daja i të babës, Hysein Myrteza.

Ai nga Ulqini ka marrë me vete edhe punëtorët që po punonin në hapjen e kanalit. Me të ardhurat që fitonte nga ai biznes, Hyseini bleu ullinj dhe tokë në Mera, ku ndodhen edhe sot shtëpitë e familjes Myrteza.

Në mesin e shekullit të 19-të ulqinakët u pasuruan shumë nga detaria dhe tregtia, prandaj është e sigurt se edhe disa kapidanë të tjerë ulqinakë kishin aksione në Ndërmarrjen e ndërtimit të Kanalit të Suezit.

Fillimisht, ky kanal ishte 164 km i gjatë dhe 8 metra i thellë. Sot gjatësia e tij është 193,3 km dhe thellësia 24 metra. Gjerësia e tij është 205 metra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi