Kalaja jonë: GJITHÇKA ËSHTË KËTU, NA DUHET VIZION DHE STRATEGJIA

Kalaja e Ulqinit është struktura më e vjetër urbane në Adriatik, një fortesë mbresëlënëse që ka qenë gjithmonë e hapur për vizitorët me qëllime të mira dhe e pathyeshme për armikun. Bukuria e saj është admiruar nga të gjithë ata që e kanë parë, dhe banorët e Ulqinit kanë qenë gjithmonë krenarë për Kalanë dhe historinë e saj.

Pak njerëz e dinë se falë Kalasë, Ulqini është në listën e UNESCO-s tash disa vite.

Libri i shkrimtarit otoman të udhëtimit Evliya Çelebija, nga shekulli i 17-të, është shënuar në Regjistrin Botëror të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Ulqini, të cilin Çelebija e vizitoi në vitin 1662, gjithashtu ka vendin e tij në atë vepër. “Ulqini është një qytet i fortë dhe shumë i bukur”, shkruan ai.

Rreth 150 vjet më parë, kartografi dhe detari i famshëm Piri Reis vizatoi një hartë të botës në të cilën ndodhet edhe Ulqini (Dolcigno), i cili në atë periudhë (fillimi i shekullit të 16-të) ishte pjesë e Republikës së Venedikut. UNESCO e shpalli vitin 2013 si vitin në nder të 500-vjetorit të asaj harte të parë botërore.

Fakti që ajo u gjet në shkrimet e Çelebis dhe në hartën e Reisit është provë se Ulqini ishte një nga qytetet e rëndësishme të Mesdheut në atë kohë, kryesisht për shkak të rëndësisë dhe autenticitetit të Kalasë.

Që kjo të ndodhë përsëri, duhet të ketë një vizion dhe strategji për zhvillimin dhe menaxhimin e Kalasë. Sepse, pa këtë, ajo do të mbetet e lënë jo vetëm vetes, por, mbi të gjitha, interesave të pjesshme të grupeve dhe individëve.

“Nëse i japim përparësi fitimit afatshkurtër, do ta humbasim karakterin e qytetit. Megjithatë, nëse punojmë në mënyrë të planifikuar dhe sistematike, nëse mbrojmë identitetin dhe hapësirën Kalaja jonë do të ketë një vlerë unike për një kohë të gjatë”, thotë gazetarja Arjona Resulani.

Sipas saj, është koha që më në fund të kalojmë nga rritja spontane në menaxhimin e duhur të identitetit dhe hapësirës. “Nuk duhet të lejojmë që turizmi të na menaxhojë. Është koha që ne ta menaxhojmë turizmin – të planifikuar, me përgjegjësi dhe në interes të brezave të ardhshëm”, përfundon Resulani.

Prandaj, gjithçka që u nevojitet banorëve aktualë të Kalasë është tashmë këty. Është kryesisht një vazhdimësi prej të paktën 25 shekujsh, dhe kjo do të thotë vetëdije. Ashtu siç ndoshta nuk ka kujtesë më të mirë të kalimit të kohës, shekujve dhe madje mijëvjeçarëve, sesa uji i detit që përplaset në muret e lashta të Kalasë tonë.

 

 Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Kalaja – e kaluara e ringjallur me të rinjtë, kulturën dhe median”, i cili financohet nga Organizata turistike e Ulqinit. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ-së “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Organizatës turistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi