Ndërmarrja publike “Veprimtari komunale” në bashkëpunim me organet komunale, gjegjësisht shërbimin e Policisë komunale, dolën të enjten në terren dhe evidentuan gjendjen tejet serioze sa i përket hedhjes së paligjshme të mbeturinave në disa zona të qytetit.
Punonjësit e ndërmarrjes menjëherë filluan pastrimin e pjesëve anësore dhe kanalit përgjatë rrugës së Kripores.
Sipas fjalëve të drejtorit të ri të NP “Veprimtari komunale” Skender Kaleziqi, aksioni në ditët e ardhshme do të vazhdojë në tërë territorin e komunës së Ulqinit. Të premten do të bëhet pastrimi i rrugës që çon në Plazhin e madh, të shtunën shëtitorja dhe Kalaja e Ulqinit dhe kështu me radhë në të gjithë zonat e qytetit.
Aksionit iu bashkëngjit edhe nënkryetarja e Komunës së Ulqinit Hadixha Gjoni, e cila njëkohësisht është edhe koordinatore e shërbimit të policisë komunale.