Borxhet e personave fizik dhe juridik ndaj komunës së Ulqinit në këtë moment janë rreth gjashtë milion euro, pikërisht sa janë edhe borxhet e kësaj vetëqeverisje lokale, mëson Portali UL-info. Vetëm borxhi i personave fizik i cili tejkalon tre mijë euro është madje 1,5 milion euro.
Për këtë arsye në administratën komunale kanë vendosur që këto ditë të nisin në aksion më të vendosur të pagesës së borxhit. Kjo masë, siç theksojnë, është akoma më e arsyeshme sepse buxheti i komunës së Ulqinit është me javë në bllokadë për shkak të pagesës së kamatave firmës nga Beogradi “Partizanski put” në lartësi prej 539 mijë euro për procesin gjyqësor i cili zgjat më shumë se dy dekada.