Këto ditë, Karisma Hotels & Resorts dhe Dobrov & Family Group kanë njoftuar fillimin e ndërtimit të kompleksit luksoz hoteliero-rezidencial “Porta Rai” në Ulqin. Siç kanë deklaruar, ndërtimi i një prej projekteve më të rëndësishme turistike në dekadën e fundit në këtë pjesë të Evropës, i cili do të ketë pesë yje, do të fillojë në nëntor të këtij viti, kurse vlera e investimit do të jetë 160 milionë euro.
Të gjithë në Ulqin presin me kujdes fillimin e paralajmëruar të punimeve, sepse vitet dhe dekadat e mëparshme pothuajse të gjitha projektet e mëdha kanë mbetur vetëm në letër. Ose thjesht një ëndërr, siç mbetën simbolët e dikurshëm të qytetit, hotelet “Galeb” dhe “Jadran”.
Ulqinit i mungojnë disa hotele të mëdha të kategorisë më të lartë për të rritur cilësinë e ofertës turistike, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të përmirësuar raportin midis kapaciteteve bazë dhe komplementare të akomodimit. Në fakt, askush s’mund të thotë me siguri se sa shtretër janë gjithsej në Ulqin, por është e sigurt që në hotele janë më pak se pesë përqind. Numri i shtretërve në akomodimet private, kampet dhe pushimoret është 15 herë më i madh. Me një përqindje të tillë, që nuk ekziston askund në Mesdhe, sezonet tona janë padyshim të mira. Rinovimi i kapaciteteve hoteliere është një nga përcaktuesit më të rëndësishëm për të ardhmen e Ulqinit, i cili është përfshirë në Planin Strategjik të Zhvillimit të kësaj komune deri në vitin 2028.
Kur kësaj i shtohet lidhjet e dobëta rrugore të Ulqinit (i vetmi qytet në Adriatik ku mund të shkosh vetëm nga toka dhe që nuk ka marinë), mungesa e hapësirës për parkim, (pa)rregullsia komunale dhe zhurma, problemet që përsëriten sezon pas sezoni, atëherë është e qartë se neve turizmi na ndodh vetvetiu.
“Ulqinit i duhet urgjentisht një Strategji për Zhvillimin e Turizmit të Qëndrueshëm me qëllim të rritjes së cilësisë së ofertës dhe mirëqenies së popullsisë lokale, respektimi i trashëgimisë kulturore-historike dhe natyrore, si dhe ofrimi i zgjidhjeve për eliminimin e shumë mangësive. Sepse, zakonet dhe kërkesat turistike ndryshojnë vazhdimisht dhe turistët gjithnjë e më shumë kërkojnë destinacione dhe objekte që kujdesen për qëndrueshmërinë e mjedisit dhe ofertës, si dhe përjetime autentike dhe siguri. Dhe ky qytet, me burimet e tij të mëdha, mund t’i ofrojë të gjitha këto”, thotë gazetarja Arjona Resulani.
Ajo thekson se edhe ky sezonë tregon se më shumë përfitojnë ata që investojnë më shumë në cilësinë më të lartë të akomodimit dhe produkteve të reja turistike.
Nga Organizata Turistike theksojnë se përmirësimi i lidhjes së trafikut është një kusht i domosdoshëm për rritjen e trafikut turistik në Ulqin, ardhjen e investitorëve më të mëdhenj dhe përmirësimin e ofertës së përgjithshme. Shtojnë se ky është një parakusht që Ulqini të mbetet një destinacion i rëndësishëm duke marrë parasysh që Shqipëria, me infrastrukturën e saj të shkëlqyer dhe lidhjet e shkëlqyera me botën, në kuptimin turistik është bërë konkurruese për të gjithë në rajon.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në komunën e Ulqinit, financuar nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitjen e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e OJQ “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ministrisë.