Të mërkurën mbrëma u mbajt mbledhja e Këshillit ekzekutiv të Partisë demokratike të socialistëve në Ulqin, të cilën e drejtoi Loro Nrekiqi.
Në këtë mbledhje, në të cilin ishin të pranishëm edhe koordinatorët e qendrës së partisë për Ulqin Halil Dukoviq dhe Ivica Kaleziq, u theksua se PDS-ja është e gatshme të marrë përgjegjësi të plotë për zhvillimin e mëtejmë të komunës.
“Kjo do të thotë se neve na takon vendi i kryetarit të Komunës në çdo variant të rikompozimit të pushtetit lokal të cilin e presim në fund të këtij ose në fillim të muajit të ardhshëm”, tha për Portalin Ul-info një nga pjesëmarrësit e takimit.
Por, siç shtoi, shumëçka varet nga dinamika politike në nivel shtetëror, sepse pëlqimin për këtë lloj vendimi të këshillit në Ulqin duhet ta jap Kryesia e PDS-së.