Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi: Reagim lidhur me incidentin në Džada Film Festnë Podgoricë

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve shpreh shqetësim të thellë për incidentin e ndodhur gjatë shfaqjes së filmit Lejleku të regjisorit Isa Qosja, në kuadër të Džada Film Fest në Podgoricë, ku një grup individësh ndërpreu në mënyrë të papërshtatshme një ngjarje kulturore. Ky akt është plotësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Veprime të tilla përbëjnë një shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtave kulturore, si dhe të drejtave të pakicave. Gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë në Malin e Zi, duhet të respektohet dhe trajtohet me nderim nga të gjithë qytetarët dhe institucionet, si pjesë e së drejtës së pakicave për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kulturor.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka denoncuar vazhdimisht rastet e urrejtjes dhe diskriminimit, veçanërisht ato që lidhen me temat që prekin shqiptarët. Sa herë që ka ngjarje ose aktivitete që lidhen me shqiptarët, shpesh herë shfaqen aktet e urrejtjes, si dhe forma të ndryshme të mostolerancës etnike, të cilat nuk kufizohen vetëm në veprime të drejtpërdrejta, por shfaqen gjithashtu në komentet e urrejtjes dhe përbuzjes në rrjete sociale, ku shpesh herë individë të caktuar përdorin gjuhë diskriminuese dhe shprehin mendime negative ndaj shqiptarëve. Kjo është e papranueshme dhe është detyra e të gjithëve për të siguruar një shoqëri të barabartë dhe të paanshme për të gjithë, pa dallim etnie.

Po ashtu, bëjmë thirrje që autoritetet kompetente të marrin masa të menjëhershme ndaj atyre që janë përgjegjës për këtë incident dhe të sigurojnë që shoqëria të mund të zhvillohet pa frikë dhe me respekt të ndërsjellë. Veprimet që cenojnë kulturën e pakicave, si dhe çdo përpjekje për të dëmtuar besimin dhe mirëkuptimin ndërmjet grupeve etnike, dëmton rëndë stabilitetin dhe unitetin e Malit të Zi, i cili është ndërtuar mbi vlera multietnike dhe shumëkulturore.

Në përfundim, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve do të vazhdojë të angazhohet për të siguruar që çdo akt urrejtjeje të hasë në reagimin e duhur dhe kundërshtimin e nevojshëm. Po ashtu, do të punojmë për të siguruar që gjuha, kultura dhe identiteti shqiptar të respektohen si pjesë e pandashme e pasurisë kulturore, dhe se të drejtat e pakicave të mbrohen e respektohen në Malin e Zi.

 

Me respekt,

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi,

Faik Nika d.v.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi