Me miratimin e disa vendimeve për objektet e përkohshme dhe përcaktimit të kompensimeve për përdorimin e tyre sot ka filluar mbledhja e pesë e Kuvendit komunal të Ulqinit.
Pritet që deri në fund të kësaj jave kjo mbledhje të vazhdojë në mënyrë që të sillet Vendimi për shpalljen e thirrjes publike për dhënien me qira afatgjate të tokës së komunës në Shtoj për ndërtimin e akva-parkut.
Në rendin e ditës së mbledhjes do të jenë dhe raportet e ndërmarrjeve publike.
Në fillim të kësaj seance është cekur që këshilltari i ri nga lista “Bashkë për të ardhmen e Ulqinit” është ekonomisti i diplomuar Florim Pali. Ai në këtë funksion e ka zëvendësuar drejtoreshën e Organizatës turistike të Ulqinit Zana Sarvan.