Pas hulumtimit të përdorimit me shkrim dhe me gojë të gjuhës shqipe në Malin e Zi në nivelet e
ndryshme institucionale, përkatësisht të përdorimit të saj publik në kuadër të projektit studimor
“Pozita zyrtare e gjuhës shqipe në Malin e Zi” janë arritur këto rezultate kryesore:
1. Gjuha shqipe në Malin e Zi nuk është gjuhë e parë në të cilën fillimisht hartohen dokumentet
zyrtare jo vetëm në nivelin e institucioneve qendrore, apo të themeluara nga niveli qendror, por as gjuhë bazë (e parë) e dokumenteve zyrtare që përdoren në qeverisjet vendore (lokale), në të cilat shqiptarët janë shumicë dërmuese, apo një pjesë e konsiderueshme, duke përfshirë edhe komunën e Ulqinit dhe të Tuzit.
- Gjuha malazeze është gjuha bazë (e parë) të cilën e përdorin shqiptarët në Malin e Zi për të
hartuar dokumentet zyrtare në strukturat e qeverisjes vendore (lokale) ashtu edhe qendrore si në: komuna, ndërmarrje publike vendore dhe qendrore, shkolla, gjykata, në sistemin bankar, tregti, turizëm, bujqësi e degë të tjera të ekonomisë dhe fushat e tjera. Gjuha shqipe në Malin e Zi në dokumentet zyrtare është gjuhë e përkthyer dhe zakonisht del e dyta, krahas gjuhës malazeze.
Pothuajse rregullisht ndodh që fillimisht dokumenti zyrtar hartohet nga shqiptarët në gjuhën
malazeze dhe pastaj përkthehet në gjuhën shqipe. Kjo dukuri, siç është pohuar edhe në përfundimin e parë, e klasifikon gjuhën shqipe në dokumentet zyrtare si një gjuhë jo origjinale, por të përkthyer, edhe në situatën kur subjektet që e përdorin atë në këtë pozicion janë shqiptarë. - Në institucionet lokale dhe qendrore që gjenden në komunën e Ulqinit dhe Tuzit në të cilat
shqiptarët janë shumicë, por edhe në komunën e Gucisë, ku janë pjesë e konsiderueshme si dhe në komunën e Tivarit, Plavës e Rozhajës, në të cilat shqiptarët janë mbi 5%, në situatat (domenet) ku nuk përdoret gjuha shqipe në formë zyrtare, përkatësisht publike me shkrim dhe me gojë bëhet shkelja e dokumentit ndërkombëtar evropian siç është Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhetë Pakicave, pastaj e Kushtetutës së Malit të Zi, Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave dhe e statuteve të komunave përkatëse. Por deri më tash nuk ka ndodhur që ndonjë institucion publik apo privat të dënohet për moszbatimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Malin e Zi, pasi kjo nuk parashikohet me ndonjë masë ligjore. (Mali i Zi nuk ka ligj të posaçëm për përdorimin e gjuhëve).
4. Përdorimi i dygjuhësisë është i përhapur, por jo gjithëpërfshirës në komunat në të cilat shqiptarët janë shumicë si në: Ulqin Tuz e në Guci. Gjuha shqipe përdoret në këto komuna në dokumentet zyrtare, në mbishkrime e emërtime të ndryshme publike duke dal si gjuhë e dytë, krahas gjuhës malazeze. Rrallë ndodh që ajo të përdoret përpara gjuhës malazeze.
5. Gjuha shqipe është gjuhë e përjashtuar në komunikimin zyrtar me shkrim dhe me gojë në nivel të institucioneve lokale dhe qendrore si në dokumente zyrtare, mbishkrime dhe emërtime të ndryshme publike në komunën e Tivarit, Plavës dhe Rozhajës. Përjashtim bëjnë disa mbishkrime në komunën e Plavës të cilat janë të shkruara edhe në gjuhën shqipe, por shqipja në kuadër të dokumenteve zyrtare është e pa përfshirë. Në komunën e Tivarit dhe Rozhajës gjuha shqipe ka përdorim shumë të kufizuar publik vetëm në radiot lokale në këto dy komuna, në të cilat ka program shumë të kufizuar në gjuhën shqipe, si dhe në disa situata në institucionet fetare.Përgjithësisht, me ndonjë përjashtim të rrallë gjuha shqipe nuk përdoret në variantin e shkruar gjatë komunikimit zyrtar në fusha të ndryshme të jetës publike të cilat janë të kontrolluara nga niveli i qeverisjes e pushtetit qendror si në politikë, ekonomi, sistemin gjyqësor, bankar etj.
6. Në faqet zyrtare të internetit të komunave: Ulqin, Tivar e Guci ekziston edhe faqja në gjuhën
shqipe. Aty janë të paraqitura dokumente të ndryshme në shqip, por ndodh që në këto faqe,
megjithëse dokumenti titullin e ka në gjuhën shqipe, përmbajtja jepet në gjuhën malazeze. - Gjuha shqipe përdoret si e vetme, apo krahas gjuhës malazeze në disa dokumente kryesore
zyrtare në shkolla për nxënësit që mësimin e ndjekin në gjuhën shqipe si në: ditar, dëftesa, librin e amzës, pastaj gjatë plotësimit të orëve, në procesverbale nga mbledhja e prindërve. Por në disa nga dokumentet e tjera shkollore si në programin vjetor, në procesverbalet nga mbledhjet e këshillit të arsimtarëve, në komunikimin që shkollat bëjnë me pushtetin qendror e vendor (lokal), bëhet përdorimi i gjuhës malazeze, me përjashtime të rralla kur përdoret edhe gjuha shqipe, si në rrjetet zyrtare sociale apo faqet në internet të shkollave, ku del edhe gjuha shqipe si pjesë përbërëse e komunikimit, zakonisht si gjuhë e dytë.
8. Në shkollën fillore dhe të mesme nuk janë të përfshirë të gjithë nxënësit shqiptarë në Malin e
Zi, sidomos në komunën e Tivarit dhe Rozhajës, në të cilat përveç se në vendbanimet rurale ku ka shkolla fillore në shqip, në komunën e Tivarit, në Krajë, kurse në komunën e Rozhajës, në Dacaj, në qytetet përkatëse jo vetëm që nuk ka asnjë shkollë në të cilën mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, por gjuha shqipe nuk mësohet as si lëndë me mundësi zgjedhjeje. Përgjithësisht në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, në shkollën fillore dhe të mesme ekziston një numër i konsiderueshëm i nxënësve shqiptarë të cilët mësimin e vijojnë në gjuhën malazeze.
Sa i përket shkollimit të lartë një numër i konsiderueshëm i të rinjve shqiptarë në Malin e Zi
shkollimin e tyre e përfundojnë në gjuhën jo (amtare shqipe), shumica në gjuhën malazeze, por ka të atillë që këtë nivel të shkollimit e kryejnë në gjuhë të huaja. (Në Malin e Zi në gjuhën shqipe ekziston vetëm Programi Studimor për Mësuesit në Gjuhën Shqipe, në kuadër të Universitetit të Malit të Zi).
9. Në komunat në të cilat jetojnë shqiptarët në Malin e Zi dominojnë mbishkrimet publike në
gjuhën malazez. Në komunën e Ulqinit, Tuzit e në njëfarë mase edhe në atë të Gucisë në
mbishkrimet publike dhe emrat e vendeve shqipja del krahas gjuhës malazeze dhe bëhet përdorimi i shumëgjuhësisë, kurse në ndonjë rast në zonat rurale, mund të gjendet ndonjë emër vendi i shkruar vetëm në gjuhën shqipe.
Rekomandime për përmirësimin e pozitës dhe statusit zyrtar e publik të gjuhës shqipe në
Malin e Zi
- Duhet të merren masa konkrete që shqiptarët në Malin e Zi, të vetëdijesohen për pozitën dhe statusin real të gjuhës shqipe, sidomos për përdorimin zyrtar e publik të saj, pasi që: së pari, gjuha e tyre amtare, shqipja, në vendet ku jetojnë ata në Malin e Zi në formë të shkruar e gojore ka përdorim tejet të kufizuar sidomos në administratën publike dhe së dyti: gjuha shqipe, përveç se në Ulqin e Tuz, është gjuhë me përdorim shumë të reduktuar zyrtar-në Guci e Plavë, kurse në Tivar e Rozhajë-në përdorimin publik, është e përjashtuar. Duhet të hartohen e realizohen fushata e projekte me përfshirje të gjerë, në mënyrë që shqiptarët në Malin e Zi të binden se përpjekjet për përdorimin e gjuhës shqipe, sidomos në situatat publike janë të drejta të tyre kushtetuese e ligjore të pranuara nga Mali i Zi zyrtar si dhe në nivel ndërkombëtar, që duhet të zbatohen në praktikë, sepse gjuha është thesari i tyre më i rëndësishëm kulturor e shpirtëror, përkatësisht tipari i tyre themelor kombëtar.
- Komunat në të cilat jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, sidomos komuna e Ulqinit, e Tuzit dhe
Gucisë, por edhe Tivarit, Plavës dhe Rozhajës, po ashtu në kudër të Parlamentit të Malit të Zi në një fazë të parë, duhet të themelohen (ngrihen) njësi organizative (zyrat e përkthimit me staf të përgatitur dhe pajisjet adekuate që të realizojnë përdorimin praktik zyrtar e publik të gjuhës shqipe në të gjitha dokumentet e situatat e përdorimit në institucionet publike lokale edha në ato qendrore dhe private, duke hartuar plane të hollësishme për përdorimin e gjuhës shqipe, zbatimin e këtij procesi si dhe përcjelljen e zbatimit të tij nga grupe ekspertesh të pavarur të fushës, duke krijuar edhe mekanizma të sanksioneve për moszbatimin në praktikë. Në kuadër të këtij projekti, fillimisht të hartohet një udhëzues në formë doracaku i cili përcakton konkretisht përdorimet e gjuhës shqipe në situata të ndryshme bazuar në dokumentet ndërkombëtare përkatëse në Kushtetutën e Malit të Zi si dhe ligjet në fuqi.
3. Të krijohen struktura për mbrojtjen dhe studimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi. Fillimisht
komuna e Ulqinit, e Tuzit dhe e Gucisë të krijojnë fonde të përhershme vjetore për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në Malin e Zi, sikurse edhe Qeveria e Malit të Zi, si dhe të kërkohen fonde të këtilla edhe nga dy shtetet shqiptare Shqipëria e Kosova dhe diaspora shqiptare të cilat do të bëhen të rregullta dhe të përhershme. Të krijohen forma bashkëpunimi me institucionet arsimore, kulturore, universitare, artistike të cilët do të ndikonin në ruajtjen dhe studimin e gjuhës shqipe në Malin e Zi, si dhe në mbrojtjen e zhvillimin e identitetit kombëtar e kulturor të tyre. Kurse më pastaj, të formohet Instituti për Mbrojtjen dhe Studimin e Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Malin e Zi i cili do të kishte të ardhura vjetore nga buxheti i qeverisë vendore.