KKSH: VIZITË E MINISTRIT TË ARSIMIT TË KOSOVËS

KKSHKryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Genci Nimanbegu, së bashku me bashkëpunëtorë, priti sot në një takim pune ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, prof. Dr. Arsim Bajrami, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.

Në takim është biseduar për gjendjen e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, për mundësitë e bashkëpunimit në të mirë të ngritjes së cilësisë, si dhe ndihmën që mund të japë Republika e Kosovës në këtë drejtim.

Duke falënderuar ministrin Bajrami për sigurimin e kuotave për kandidatët shqiptarë në Mal të Zi, në përputhje me kërkesat e tyre të bazuara në anketimin e zhvilluar me maturantë, kryetari Nimnabegu dhe përfaqësuesit tjerë të KKSH-së kanë shprehur shqetësimin se në afatin e parë të regjistrimit janë pranuar një numër i vogël i kandidatëve shqiptarë nga Mali i Zi, si rezultat i mosnjohjes së pikëve nga provimi i maturës.

Nga ana e tij, ministri Bajrami ka thënë se Qeveria e Kosovës do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për mësimin shqip në Mal të Zi, i cili do të jetë në qendër të vëmendjes së MASHT-it për shkak të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.

Lidhur me shqetësimin për pranimin e një numri të vogël të kandidatëve shqiptarë në Mal të Zi në afatin e parë të regjistrimit, Bajrami ka premtuar se në afatin e dytë të regjistrimit do të plotësohen të gjitha kuotat e rezervuara për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, duke siguruar se asnjë kandidat nuk do të mbesë pa u regjistruar. Ai ka thënë po ashtu se sivjet për të parën herë do të ketë kuota të rezervuara për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi për studimet master dhe studimet e doktoraturës, si dhe që MASHT-i do të ndajë bursa studimi edhe për studentët shqiptarë jashtë Kosovës, përfshirë ata nga Mali i Zi.

Ai ka premtuar se në fund të muajit gusht MASHT-i do të sjellë një kontigjent të abetares mbarëkombëtare, lektyrave shkollore dhe mjeteve të tjera mësimore për nevojat e shkollave shqipe dhe nxënësve shqiptarë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës ka shprehur kënaqësi që tashmë ekziston një institucion përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi dhe se KKSH-ja do të jetë pikë kontakti e kësaj ministrie për të gjitha çështjet e arsimit shqip në Mal të Zi.

Takimi ishte vazhdimësi e takimit të zhvilluar në muajin qershor në Prishtinë ndërmjet përfaqësuesve të KKSH-së dhe MASHT-it, ndërkaq ministri Bajrami i ka ftuar përfaqësuesit e KKSH-së në takimin e radhës në Prishtinë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

 

Shërbimi për Informim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi