Kombëtarja e Shqipërisë në futboll frymon me kolonën zanore që promovon bashkimin kombëtar. Dy shkodranë do ta shkruanin dhe kompozonin më 1993 për një këngëtare popullore kosovare.
Dyvargëshi “xhamadani vija-vija/është Kosova, është Shqipnia” jehonte fuqishëm më 2002 në stadiumin e Prishtinës në ndeshjen miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe dhjetë vjet më vonë, italiani Gianni de Biasi, pak ditë pasi mori drejtimin e Përfaqësueses shqiptare, e shpalli himn të Kombëtares.
Por vendimi i De Biasit vetëm sa konfirmonte diçka që dihej prej kohësh. Kënga tashmë ishte himn jozyrtar i Kombëtares shqiptare në futboll. Asnjë këngë nuk dëgjohet edhe sot e kësaj dite as përafërsisht sa “Xhamadani” kur zhvillon ndeshje Shqipëria. Njëzëri e këndojnë tifozët “KuqeZi”dhe lojtarët. E ka kënduar edhe vetë italiani De Biasi. Me këtë këngë paralajmërohen ndeshjet, ngrihet morali i lojtarëve, kallet atmosfera në tribuna dhe festohen sukseset.
Në të vërtetë, autorë të këngës janë kompozitori Zef Çoba dhe poeti Alfred Çapaliku, e Shkurte Fejza do ta këndonte e para, përpara se të përpunohej më 1997 nga grupi kosovar “Ilirët”. Versioni i frontmenit Shemsi Krasniqi – Shemi ka marrë në “YouTube” afro 3 milionë klikime. Më pas ai solli edhe këngën: “Oj Kosovë, ty t’kam hajmali”, me shpresën se do të bëhej himn i tifozerisë së Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Por ajo jo vetëm që nuk u dëgjua asnjëherë të këndohej nga “Dardanët”, por në “YouTube” nuk ka arritur të mbledhë as tetë mijë klikime.
“Është një qiell që na bashkon”, është pjesë e himnit të Kombëtares, lojtarët e së cilës do të viheshin në Beograd në mbrojtje të banerit me hartën-flamur dhe dy figurat historike shqiptare, që u ulën prej lojtarit serb.
Status quo e rrezikshme
Bashkimi i shqiptarëve deri tani më së miri është bërë nëpërmjet futbollit. Në ndeshjen e ndërprerë në Beograd më 14 tetor, shtatë prej 11 lojtarëve titullarë të Shqipërisë ishin me prejardhje nga Kosova. Dhuna e tifozëve dhe personelit serb të sigurisë ndaj lojtarëve ka nxitur shqiptarët t’i rikthehen debatit për fqinjët, por edhe për vetveten. Debati për shqiptarinë vazhdimisht ka qenë i lidhur me futbollin. Lojtarët shqiptarë që luajnë për Zvicrën, Belgjikën e Gjermaninë shpeshherë janë akuzuar prej krerëve të federatës shqiptare të futbollit se nuk kanë qenë të gatshëm t’i mbronin ngjyrat kuqezi, megjithëse vetë lojtarët dhe familjarët e tyre thonë se drejtuesit shqiptarë nuk janë treguar seriozë me ofertat e tyre.
Por debati është ashpërsuar edhe më shumë në mesin analistëve shqiptarë, të cilët kanë marrë shkas prej ndeshjes së futbollit që të kapeshin e haheshin prej punës së shqipes standarde deri te teoritë për kombin shqiptar. Ka pasur diskutime edhe për nevojën e fuqizimin brenda shqiptarëve.
“Nacionalizmi është forcë e fshehur në të gjitha shoqëritë”, vlerëson Janusz Bugajski, nga Qendra për Analiza të Politikës Evropiane me seli në Washington. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka thënë se nacionalizmi del në pah gjatë “traumave dhe triumfeve kombëtare” dhe se mund të marrë forma pozitive a negative.
“Deri tani nacionalizmi i zgjerueshëm dhe ekskluzivisht nuk ka qenë parzmore e ndonjë partie të rëndësishme në Shqipëri, Kosovë ose në mesin e shqiptarëve në shtetet e tjera përreth”, deklaron ish-kolumnisti i “Kohës Ditore”. Bugajski megjithatë thotë se gjërat mund të ndryshojnë nëse përshkallëzohen “zemërimet përtej kufijve” dhe nëse rritet numri i shqiptarëve të pakënaqur me “status quon ekzistuese”.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka ripërsëritur se “Shqipëria e madhe” është makth i serbëve dhe jo projekt i shqiptarëve. Ai ka deklaruar se shqiptarët ëndërrojnë “Evropën e madhe”.
Në Shqipëri, Aleanca Kuqezi bëri fushatë në zgjedhjet e vitit të kaluar me premtimin për bashkim. Por nuk ia doli të kalonte as pragun për të hyrë në Parlament. Në Kosovë Lëvizja për Bashkim dhe lëvizja “Vetëvendosje” proklamojnë bashkimin. VV-ja është partia e vetme parlamentare që synon bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Bllokadat reciproke
Deputeti i saj, Glauk Konjufca, mendon se është “lajm i mirë” rritja dhe forcimi i ndjenjës kombëtare te shqiptarët. “Atdhedashuria, patriotizmi, instinkti i reagimit kolektiv me rastin e shkeljes së të drejtave dhe interesave kombëtare… të gjitha këto janë shenja të një kombi në rrugën e mbarë të zhvillimit”, thekson Konjufca.
Shkëmbimet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë janë në nivel shumë të ulët, krahasuar me shkëmbimet që të dy shtetet kanë me vendet e tjera të rajonit. Në raportin e Institutit GAP për “Problemet me tregtinë e miellit”, që është publikuar javën e kaluar nga instituti GAP, thuhet se të dyja vendet në disa raste i kanë bllokuar produktet e njëra-tjetrës.
“Megjithëse Shqipëria dhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm tregtarë, eksportet nga Kosova përbëjnë vetëm 1 për qind të importit në Shqipëri, ndërsa eksporti nga Shqipëria përbën vetëm 4.5 për qind të importit në Kosovë. Importet nga Shqipëria mbulohen vetëm në masën prej 40 për qind me eksporte nga Kosova”, thuhet në raportin që përmend pengesat që i kanë vënë njëra-tjetrës.
Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje-kornizë me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit dhe lehtësimit të tregtisë. Megjithatë autoritetet doganore i kanë vënë njëra-tjetrës bllokada në tregtinë e çimentos, patates, rrushit dhe miellit.
Ministritë e kulturës të dy vendeve kanë nënshkruar në shkurt marrëveshje për kalendarin e përbashkët kulturor, ku janë përfshirë 20 ngjarje kulturore. Marrëveshja është nënshkruar pesë muaj pas paralajmërimit të saj.
Periudha e artë e bashkëpunimit
Bashkëpunimin kulturor dhe arsimor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës gjatë viteve 1969-1980, e përshkruan si “epokë të artë” historiani Skender Lutfiu. Studiuesi i institutit të historisë, “Ali Hadri”, vlerëson se moment tjetër i rëndësishëm bashkëpunimi ishte edhe periudha gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas vitit 1941, kur zona italiane e Kosovës u bashkua me Shqipërinë.
Në vitet shtatëdhjetë Lutfiu ka thënë se janë organizuar me dhjetëra aktivitete kulturore në të dyja anët e kufirit, ndërsa profesorë të shumtë nga Shqipëria kanë ardhur në Universitetin e Prishtinës për të ligjëruar.
“Gjatë kësaj periudhe një ndihmë të jashtëzakonshme ka dhënë shteti shqiptar në fushën e arsimit, ku Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kishin nevojë të madhe”, shkruan Lutfiu.
Ai mendon se një prej arsyeve pse diktatori Enver Hoxhaj ktheu sytë nga Kosova ishte prishja e Shqipërisë me Moskën, me daljen nga Traktati i Varshavës më 1968, dhe ndërhyrja e trupave të Paktit komunist në Çekosllovaki në të njëjtin vit.
Ndërkaq Tito përmirësoi raportet me Tiranën për të balancuar fuqinë e kroatëve në dëm të serbëve, me qasjen “sa më të fortë të jenë shqiptarët, aq më të dobët do të mbesin serbët”. Gjithashtu mendon se mareshali jugosllav donte të përmirësonte imazhin botëror si lider që u jep të drejta pakicave kombëtare dhe se ishin rrethanat politike të kohës që diktonin fqinjësi të mirë në Ballkan.
Koncertet e shfaqjet kulturore shqiptare do të nxisnin shqiptarët e Kosovës që të kërkonin avancimin e të drejtave të tyre, të cilat do të kulmonin me protestat e vitit 1981. “Nuk kishte vende të lira nëpër kinema e shtëpi kulture për shikuesit e emocionuar për shfaqjet e koncertet shqiptare”, thotë Lutfiu, që ka folur me profesorë e akademikë shqiptarë që kishin ligjëruar gjatë viteve shtatëdhjetë në Prishtinë.
Konjufca nuk sheh kurrfarë kundërthënie ndërmjet projektit të integrimeve evropiane dhe ndjekjes njëkohësisht të rrugës së forcimit, organizimit dhe bashkimit kombëtar. Mendon se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk e cenon rendin aktual ndërkombëtar.
“Heqja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk i prek kufijtë e shteteve përreth. Kurse bashkimi dhe forcimi i shqiptarëve nuk ka pse t’i frikësojë fqinjët”, thekson Konjufca. “Përkundrazi, ky projekt i kontribuon qëndrueshmërisë së paqes në rajon”.
Dëmi i “oligarkëve të vegjël” të politikës
Ai thekson se shtetet fqinje kundërshtojnë bashkimin nga frika se një shtet më i fuqishëm shqiptar do të ishte pretendent më serioz për avancimin e interesave të shqiptarëve në Ballkan. Konjufca thotë se problemi është se tani nuk ka “një politikë në unison me këtë ndjenjë të natyrshme të kombit, sepse deri tash politika te shqiptarët ka shërbyer kryesisht si mekanizëm i ndrydhjes së dëshirave dhe ambicieve të kombit”.
Historiani austriak, Oliver Jens Schmitt, ka deklaruar në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore” se liderët e rajonit “duke manovruar ndërmjet fuqive të mëdha” mbajnë nën kontroll të rreptë burimet lokale. Ai mendon se kjo është recetë e mirë për të mbajtur pushtetin prej elitave rajonale në Ballkan.
“Por shoqëritë në Kosovë, Serbi dhe në Shqipëri po e paguajnë një çmim të lartë për këtë sistem të oligarkëve të vegjël arbitrarë”, ka deklaruar Schmitt.
Vendimi i UEFA-s që bën bashkëpërgjegjëse për dhunën në Beograd edhe Shqipërinë ka nxitur debate të ashpra në mediat shqiptare. Madje kundërthënie të mëdha shkaktoi qëndrimi i Brukselit zyrtar se forcat serbe të sigurisë treguan profesionalizëm.
Analisti Halil Matoshi nuk mendon se Bashkimi Evropian po i tradhton shqiptarët. Madje vlerëson se as që duhet menduar në “konstrukte të tilla që janë tipike komuniste dhe etnonacionaliste, sepse shqiptarët kurrë nuk e kanë pasur Evropën në krah më shumë se tani”.
“Qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë mundur t’i rezistonin ekspansionizmit tregtar-ekonomik të Turqisë, porse ka mundur të luhet në dy drejtimet njëherësh”, thekson Matoshi. “Oligarkë të vegjël ose të mëdhenj nuk pyesin për interesa shtetërore porse për interesa të veta ekonomike”.
Analisti i Evropës Juglindore, Bugajski, mendon se liderët shqiptarë duhet ta kapitalizojnë në mënyrë pozitive nacionalizmin, e jo duke theksuar zemërimet kundër fqinjëve. Bugajski, i cili qysh më 1993 kishte paralajmëruar përshkallëzim të dhunës në luftë, në Kosovë, pas ndryshimeve në Jugosllavinë e atëhershme, thotë se krenaria dhe historia kombëtare duhet të përdoren si shembull i mirë.
“Si model të vlefshëm, ta zëmë, të gjitha partitë politike polake pas rënies së komunizmit përdorën si parzmore krenarinë kombëtare dhe identitetin kombëtar për të ndërtuar një demokraci të fortë me një ekonomi në rritje”, thekson Bugajski. “Në rastin shqiptar, keqmenaxhimi, korrupsioni dhe jokompetenca duhet të klasifikohen si ‘joshqiptare’ dhe të eliminohen nga politika dhe nacionalizmi shqiptar duhet të fokusohet në ndërtimin e shteteve efektive me ekonomi efikase”.
Rizgjimi i “nacionalizmit të fjetur”
Analisti e shkrimtari Kim Mehmeti mendon se shqiptarët do të ndihen inferiorë derisa të vazhdojnë të kenë elita të korruptuara politike. Ai shprehet se shqiptarët do të ndihen të barabartë në Evropë kur të kthejnë vetëbesimin për atë që janë.
“Ne do të bëhemi si e tërë Evropa vetëm atëherë kur do ta pastrojmë shqiptarinë nga politikanët e korruptuar që ndërkombëtarisht veprojnë ashtu siç u thonë ‘miqtë perëndimorë’, e lokalisht ashtu siç u thotë instinkti i ‘hajdutokratit’ që e plaçkit dhe varfëron popullin e vet”, thekson analisti nga Shkupi.
Aldo Bumçi, nënkryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, mendon se arritja më e madhe e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është ndërtimi i autostradës në dyja anët e kufirit. “Rrugën e kombit” e sheh si vepër që vuri themelet e krijimit të një hapësire ndërvepruese shqiptare në rajon.
“Ndërtimi i ‘Rrugës së kombit’ ka ndikuar në shumëfishimin e shkëmbimeve ekonomike dhe njerëzore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë Bumçi, duke përmendur hartimin e Abetares së përbashkët dhe nënshkrimin e 100 marrëveshjeve dypalëshe. Ai mendon se bashkëpunimi duhet të zgjerohet me marrëveshje konkrete në të gjitha fushat pa pasur nevojë për “zhurmë dhe shou”.
“Dhe e gjithë kjo duhet të zhvillohet brenda projektit të madh të integrimit evropian”.
Matoshi mendon se etnonacionalizmat ballkanikë po rikthehen në kohën kur kombi etnik si bashkësi e njerëzve nuk përkon me zhvillimet e kohës. Ai mendon se shteti kombëtar po merr fuqinë karshi kombit.
“Në këtë mësymje po rizgjohet edhe nacionalizmi i fjetur shqiptar, që në Tiranë po eksportohet nga Kosova, si kundërvënie nacionalizmit ekspansionist dhe hegjemonist serb”, deklaron Matoshi. “Tash për tash as që është projekt i elitave, pos njëfarë ndjesie emotive-njëfarë konstrukti mental”.
Ai mendon se pas dhjetë apo njëzet vjetësh është e mundshme të krijohet një konfederatë shqiptare në Ballkan. Vlerëson se elitat politike dhe kulturore në Shqipëri dhe Kosovë ende nuk janë të gatshme për kthesa të mëdha politike për shkak të drojës reciproke.
“…..Tirana i druan fort kosovarizmit, pra eksportimit të problemeve tipike kosovare atje, kurse Prishtina i druan në njëfarë mënyre shpushtetizimit, përkatësisht humbjes së influencës si karshi Tiranës, pra Prishtina do të mbetej inferiore karshi qendrës”.
Pikë e pesë
Rrustem Mustafa, zyrtar i lartë i PDK-së, nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes se a mund të ketë dy procese paralele integrimi të shqiptarëve. Si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte betuar se do të luftonte deri në çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, por mendon se kombi shqiptar është në rrugë të mbarë drejt “bashkimit të kombit tonë në kombet e qytetëruara.
“PDK-ja i ka politikat e veta programore, publike dhe zhvillimore, dhe si të tilla janë zhvilluese të kombit tonë”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se politika ofron mundësi të pakufizuara që bëjnë dhe zhbëjnë shtete, federata e unione politike.
“Ne ende nuk kemi dëgjuar për një projekt të tillë dhe fokusimi ynë është në krijimin e ambientit të sigurt njerëzor, që të zhvillojmë projektin drejt Evropës së bashkuar, ku do të jemi konkurrentë të fuqishëm si komb”, deklaron Mustafa.
Të barabartë nuk ndihen shqiptarët në Mal të Zi. Publicisti Mustafa Canka nga Ulqini mendon se shqiptarët nuk ekzistojnë si faktor i rëndësishëm politik në ish-Republikën jugosllave. Ai thotë se kjo ndodh “duke iu falënderuar, para së gjithash, elitës së vet të papjekur politike. Kjo për pasojë ka gjendjen e keqe dhe dobësinë në të gjitha sferat e jetës”.
Shqiptarët kanë rrezikuar ta humbin edhe qeverisjen lokale të Ulqinit për shkak të ndasive të mëdha të partive lokale politike. Asnjë shqiptar nuk është ministër në kabinetin e Qeverisë së Milo Gjukanoviqit, i cili kërkoi mbështetjen vendimtare të shqiptarëve në referendumin për pavarësimin e Mali të Zi më 2006.
Canka akuzon Tiranën dhe Prishtinën për mosinteresim pothuajse total për kërkesat e shqiptarëve në shtetin fqinj. “Në këtë kontekst është logjike që praktikisht kanë dështuar edhe shpresat që Malësia me qendër Tuzin ndonjëherë do të bëhet komunë e plotë”, thotë Canka. “Gjatë kësaj kohe pushteti dhe paratë do të jenë në Podgoricë, ndërsa shqiptarëve në Mal të Zi u mbetet të valëvisin flamujt e tyre kombëtarë”.
Pas ndeshjes në Beograd, 40 mijë shqiptarët në Mal të Zi janë përballur me presionin e shumicës. Ka pasur edhe përleshje ndërmjet nxënësve shqiptarë dhe malazezë. Canka thotë se popullata shumicë homogjenizohet kur bëhet fjalë për shprehjen e mosbesimit dhe urrejtjes ndaj pakicës shqiptare.
Bashkimi sjell izolimin?
Krerët e partive politike shqiptare edhe në Maqedoni e Kosovë Lindore angazhohen që shqiptarët të bashkohen në mekanizma ndërkombëtarë evropianë e transatlantikë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka marrë statusin e vendit kandidat. Partitë shqiptare në Maqedoni mbështesin procesin e anëtarësimit të vendit në Aleancën Veriatlantike, që është bllokuar për shkak të kontekstit të emrit me Greqinë fqinje. Maqedonia rrezikon të humbë statusin e kandidatit të BE-së, çështje që gjithashtu lidhet me emrin, për të cilin grekët akuzojnë fqinjët se po përvetësojnë të kaluarën e tyre. Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk i janë liberalizuar vizat në zonën Schengen. Megjithatë, shqiptarët mbesin mbështetës më të mëdhenj në rajon të integrimeve, tregojnë anketimet.
Bugajski mendon se shqiptarët duhet të punojnë fort për ndërtimin e dy shteteve të fuqishme dhe efektive që do të gëzonin respekt në bashkësinë ndërkombëtare.
“Në njëfarë date të ardhshme, nuk ka arsye pse Shqipëria dhe Kosova të mos mund të formojnë një konfederatë brenda BE-së dhe NATO-s nëse do të jetë ekonomikisht produktive dhe do të promovonte siguri në fqinjësinë e Ballkanit”, vlerëson Bugajski, që mendon se shtyrja përpara e një projekti të ngjashëm në këtë kohë pasionesh të zjarrta dhe zhvillimi jo të duhur fiskal, ekonomik dhe institucional thjesht do të gjeneronte destabilitet dhe konflikt në rajon.
Bugajski e Matoshi mendojnë se projektet eventuale për bashkim të dy shteteve shqiptare në Ballkan do të hasnin në kundërshtime të vendosura në Bruksel dhe Washington. Matoshi vlerëson se SHBA-ja dhe BE-ja as që e imagjinojnë ndonjë veprim të njëanshëm, qoftë edhe në nivel nisme.
“Washtingtoni dhe Brukseli zyrtar domosdo që do të reagonin madje edhe me kërcënimin për izolim nga rruga e integrimeve evropiane”, paralajmëron Matoshi, duke shtuar se do të rrezikohej edhe kohezioni i brendshëm i Kosovës, “si projekti më i madh i Perëndimit pas Luftës së Dytë Botërore”.
Nevoja për marrëveshje të madhe brendashqiptare
Bugajski thotë se bashkimi do të vinte në dyshim edhe të drejtat e tanishme që kanë shqiptarët në vendet ku konsiderohen pakicë.
“Do të mund të ofronte pretekst për shtetet fqinje që të kufizojnë të drejtat e shqiptarëve me pretendimin se popullsia lokale mbështet projektin panshqiptar”, deklaron Bugajski. “Dhe Shtetet e Bashkuara do t’i gjuheshin ashpër Tiranës dhe Prishtinës që të hiqnin dorë prej projektit të shtetit të përbashkët, ose do të rrezikonin të humbnin mbështetjen amerikane”.
Bumçi, ish-ministër demokrat i Shqipërisë, mendon se identitetet kombëtare ndërtohen bazuar në dy shtylla. Ai thotë se identiteti pozitiv bazohet në vlerat që kanë shqiptarët si komb. “Dhe shtylla tjetër, identiteti negativ, kur ke nevojë për të tjerët për të ndërtuar identitetin tënd, ‘ne nuk jemi si ata’”, vlerëson Bumçi.
Ai thotë se NATO-ja dhe BE-ja kanë krijuar një rend evropian që është bekim i madh për të gjithë kontinentin. “Por, në mënyrë të veçantë për ne shqiptarët që vinim nga një trashëgimi vuajtjesh dhe dobësish të mëdha”, thotë Bumçi, duke mbështetur tezën se projekti i anëtarësimit në NATO dhe BE do të transformonte rrënjësisht marrëdhëniet ndërshqiptare, veçanërisht ato ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Thotë se çdo projekt tjetër që nuk është në harmoni dhe bie ndesh me këtë objektiv strategjik kombëtar, nuk është në interes të shqiptarëve kudo që janë.
“A ka nevojë për ndërtim federatash dhe konfederatash për të realizuar këtë gjë, unë mendoj se nuk ka”, deklaron Bumçi. “Një partneritet i fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të ankoruar fort në integrimin euroatlantik, së bashku me masat konkrete në terren, janë çfarë kemi nevojë”.
Akademiku Mark Krasniqi nuk mendon se është kërkesë ekstreme të kërkosh bashkimin kombëtar, duke u zotuar për respektim të të drejtave të pakicave.
Në Shqipëri ka vazhdimisht tensione të ashpra politike dhe polarizim të skajshëm, që kanë ndikuar gjatë 23 vjetëve të demokracisë. “Shqipëria do të kishte ndryshuar shumë më shumë nëse konflikti politik, si një luftë civile, nuk do të ishte kaq i ashpër”, mendon Bumçi, duke thënë se konflikti politik në Kosovë nuk ka qenë si në Tiranë. “Por nëse nuk do të kishin qenë miqtë ndërkombëtarë, do të kishim të njëjtën situatë, mos më keq”. Të njëjtë e sheh gjendjen edhe në mesin e politikanëve shqiptarë në Maqedoni dhe vendet e tjera përreth. “Por kjo nuk duhet t’i dobësojë pozitat e tyre”, shprehet me optimizëm Bumçi, duke vlerësuar se është koha për një “marrëveshje të madhe” brendashqiptare.
“Prandaj duhet të merremi vesh mes nesh. Kemi nevojë për një marrëveshje të madhe që të qetësojmë hapësirën shqiptare nga një energji negative, që nuk na lejon të ngrihemi aty ku e meritojmë”, këshillon politikani shqiptar.
“Ne i kemi të gjitha argumentet në dorë, por kush të luftojë me këto argumente”, ngrit pak zërin Krasniqi, në zyrën e tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. “Ai që lufton për karrige?” (Rexhep Maloku, Koha ditore)