Në Librarinë “Ulqini” me 6 mars 2024 është mbajtur mbrëmje autoriale me gazetarin Fahri Musliu dhe është bërë përurimi i librave të tij “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd (janar – qershor 1999)”, “Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës (1999-2001)” dhe “Kosova – nyjë e pa(zgjidhur)”.
Në bashkëbisedim me udhëheqësin Dr. Nail Draga, ai ka folur për përvojën e tij në Beograd ku ka punuar si gazetar i mediave të ndryshme, momentet kyçe të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, bombardimet e NATO-s në vitin 1999, raportet shqiptaro-serbe dhe të Kosovës me Serbinë etj.
Gazetari Musliu ka treguar se shkak i shkuarjes së tij për të studiuar në Beograd ka qenë përplasja e tij dhe fakti se nuk pajtohej me dukuritë negative në shoqëri dhe keqpërdorimet që bëheshin në atë kohë nga strukturat politike komuniste të Komunës së Dragashit.
“Pra, tek unë ka ekzistuar ai delli rebelues dhe mospajtues për padrejtësitë dhe të vërtetën, së cilës i kam kushtuar tërë jetën”, ka thënë ai, duke treguar se ka qenë studenti i parë nga Kosova që ka regjistruar shkencat politike në Beograd.
Musliu ka thënë se në vendimin e tij për zgjedhjen e Fakultetit të Shkencave Politike, gjegjësisht të studiojë për gazetari në Beograd, ka ndikuar një shok i tij në ushtri nga Kragujevci, i cili i ka treguar se në Beograd ekziston një fakultet i tillë, krahas faktit se po studion në një profil krejt tjetër, të veçantë, që atëherë i mungonte shoqërisë kosovare.
Gazetari e ka vlerësuar si periudhë të artë për shqiptarët në Beograd dhe në Serbi kohën në prag të miratimit të Kushtetutës së ish-Jugosllavisë, në vitin 1974. Në këtë kohë, sipas tij, shqiptarët kanë përjetuar njëfarë transformimi të posaçëm, sepse ka filluar një qëndrim krejt tjetër ndaj tyre, në nivel politik por edhe në nivel tjetër qytetar.
“Pra, ka qenë një rilindje e shqiptarëve në atë kohë dhe filloi ardhja me të madhe e shqiptarëve nëpër fakultete të ndryshme, të cilat nuk ishin në Prishtinë në atë kohë”, ka thënë Musliu.
Sipas gazetarit, 1981 ishte viti kur i është dhënë grushti më i madh autonomisë së Kosovës, pozitës së saj dhe shqiptarëve në Jugosllavi, sepse aty fillon, praktikisht, rrënimi i autonomisë në mënyra të ndryshme.
Ai ka thënë se në bazë të bisedave që ka zhvilluar me Mahmut Bakallin, njërin prej udhëheqësve politikë të Kosovës në atë kohë dhe me struktura të tjera, ka mësuar se tri shërbime të jashtme kanë qenë të përfshira në demonstratat e vitit 1981 në Kosovë.
“Pra, shërbimi bullgar, DB-ja serbe dhe Sigurimi i Shqipërisë. Këto kanë qenë njëfarë trinomi i përbashkët që kanë punuar në këtë drejtim që ta destabilizojë Jugosllavinë nëpërmjet Kosovës”, ka thënë Musliu.
Si periudhën më të vështirë të jetës dhe karrierës së tij në Beogradi ai ka përmendur vitet 1986-1989, të karakterizuara nga protestat antishqiptare, ulërimat e nacionalistëve serbë nëpër rrugët e Beogradit etj..
Ai ka folur edhe për Kongresin XIV dhe të fundit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë si dhe demonstratat e vitit 1991 në Beograd, kur Millosheviqi i ka nxjerrë tanket kundër protestuesve.
“Kam raportuar nga Kongresi. Ai ka qenë ajo xixa e shkatërrimit të Jugosllavisë. Dhe u vërtetua se Jugosllavinë e atëhershme e ka mbajtur partia më tepër, por edhe ushtria, sepse të gjithë kanë pasur njëfarë besimi në Ushtrinë Jugosllave, me ideologjinë jugosllave, me ideologjinë e vëllazërim-bashkimit”, ka thënë gazetari.
Musliu ka folur për përjetimet e tij të bombardimeve të NATO-s në Beograd dhe në Serbi, kur brenda natës iu desh të ballafaqohej me një gjendje lufte.
Duke folur për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai ka thënë se Serbia plot 25 vite po e pengon pavarësinë e Kosovës, falë edhe ndërkombëtarëve.
“Duhet të jemi të sinqertë dhe ta themi të vërtetën – falë qëndrimeve inerte të amerikanëve ndaj Serbisë, edhe të BE-së, por në radhë të parë amerikanëve”, ka theksuar Musliu.
Sipas tij, fajtor kryesor që Kosova tash 25 vite nuk po e merr veten të bëhet shtet në kuptimin e plotë të fjalës, janë në plan të parë ndërkombëtarët, por edhe faktori i brendshëm shqiptar.
Gjatë mbrëmjes, gazetari Musliu ka folur edhe për çështje të tjera të trajtuara në librat e tij. Po ashtu drejtoresha e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmanoviq, ka lexuar biografinë e tij, kurse Luljeta Avdiu – Cura ka lexuar pjesë nga librat. Ai është përgjigjur edhe në disa pyetje të publikut të pranishëm.
Fahri Musliu ka lindur më 1948 në fshatin Zaplluxhe të Prizrenit, ku ka kryer shkollimin fillor. Gjimnazin e ka kryer në Prizren, ndërsa studimet për gazetari në Beograd, ku edhe ka jetuar e punuar për rreth katër dekada. Me gazetari ka filluar të merret qysh më 1968, si bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja” dhe i Radio Prishtinës. Në vitin 1985 ka filluar punën si korrespodent i rregullt nga Beogradi i gazetës “Rilindja”. Ka bashkëpunuar edhe me shumë gazeta e revista tjera shqipe në Kosovë, si dhe me gazetat “Borba”, “Nasha Borba” e “Danas” të Beogradit dhe “Vjesnik” të Zagrebit. Prej majit të vitit 1993-2005 ka punuar si korrespondent i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” nga Beogradi, kurse në qershor të vitit 2005 kalon në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) si korrespondent i rregullt nga Beogradi, ku punoi deri në pensionim më 2013. Gjatë kësaj kohe, nga 2008-2012 bashkëpunoi edhe me redaksinë shqipe të Radios BBC. Përveç me gazetari, merret edhe me publicistikë dhe përkthime. Është autor i disa librave.
Mbrëmja autoriale është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”. (Koha Javore)