Në prani të një numri të madh të publikut, të shtunën mbrëma u bë përurimi i librave “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e komunizmit 1946-1990”, “Bijtë e shqipes” dhe “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve” të autorit Gjekë Gjonaj.
Të gjithë folësit kanë vlerësuar librat dhe kontributin e këtij gazetari, publicisti dhe studiuesi të apasionuar.
Redaktori i librit “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e monizmit (1946-1990)”, AliSalaj, ka thënë se ai paraqet një qasje dokumentare dhe arkivore për një periudhë të rëndësishme historike.
“Autori Gjonaj me këto hulumtime hap shtigje për një qasje të përgjithshme të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi, duke përfshirë këtu përfaqësuesit politikë, të cilët edhe pse nuk u zgjodhën në mënyrë demokratike, megjithatë janë tregues të mekanizmave të sistemit me të cilat u munduan të animohen pakicat në këtë vend”, u shpreh ai.
Salaj ka thënë se “autori përmbledh dokumente, fakte biografike, dëshmi, përshkrime dhe shumë çështje tjera që e bëjnë më të besueshëm këtë libër, por që pasqyrojnë edhe përfaqësimin kompleks të shqiptarëve gjatë këtij harku kohor”.
Në vështrimin e tij, kritiku QazimMuja e ka cilësuar librin “Bijtë e shqipes” një krestomaci historiko-publicistike në të cilën autori “me një intuitë dhe mprehtësi të pakontestueshme, ia ka dalë të depërtojë në jetën e atyre figurave, të atyre personaliteteve që i ka lindur historia, nganjëherë heroizmi, por nganjëherë edhe tragjizmi dhe mentaliteti që ka formësuar fatet në jetëshkrimet e tyre, të ndërtuar nga dashuria për atdheun dhe për popullin e vet, herë-herë duke marrë edhe rolin e prijësve kalorsiakë, që pa dyshim bëhen pjesë e historisë, pjesë e kulturës së popullit tonë”.
Sipas tij, ky libër “meriton një lëvdatë të shumëfishtë, si për mjeshtërinë e jashtëzakonshme shkrimore, po ashtu edhe për kontributin e rëndësishëm në lëmin e historiografisë dhe publicistikës shqiptare, sepse me trajtimin jetëshkrimor të figurave të rëndësishme historike, atdhetare, kulturore, shkencore trajton njëkohësisht një pjesë të rëndësishme të rrjedhave historike, kulturore, shkencore e humane edhe në kontekstin e asaj pjese të kombit në gjirin e të cilit lindën dhe u rritën personazhet e trajtuara nga ky autor, duke vërtetuar bindshëm atë moton e tij ‘Nënat i bëjnë burrat, burrat i bëjnë veprat!’”
Për librin “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, i cili është përmbledhje e vështrimeve dhe recensioneve të autorit, të publikuara në periudhën kohore 2000-2013, ka folur IsmetKallaba, i cili ka thënë se përzgjedhja e veprave dhe e autorëve në këtë libër është bërë me qëllimin e qartë – në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve,
“Vështrimet dhe recensionet janë shkruar me dashuri dhe i karakterizon fryma pozitive dhe afirmative. Autorinukmëtontëbëjënjëanalizëtëthelluartëvepraveqëtrajton, por qëllimi i tij është që t’ia prezantojë ato lexuesit të gjerë. Në këtë mënyrë, ai vlerëson kontributin e këtyre autorëve për identitetin e shqiptarëve”, është shprehur ai.
Më tej, Kallaba ka thënë se “studiuesit që autori ka përfshirë në këtë libër i kanë shërbyer fort me studimet e tyre brumosjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve, por sakaq edhe Gjekë Gjonaj përmes paraqitjes së këtyre veprave opinionit të gjerë, ka bërë një punë të vyer në promovimin e tyre”.
Dr. Ilir Çapuni ka folur për njohjen e parë me Gjekë Gjonajn, në vitin 1993, kur ai si gazetar i emisionit “Kronika e javës” në Televizionin e Malit të Zi e kishte intervistuar si nxënës në Shkollën e Mesme të Ulqinit.
Ai ka thënë se “po të mos kishte qenë ky autor, akti heroik i Palokë Pjetër Gjonit e YmerFasllisë, apo bujaria e Gjon Pjetër Hirit e Tringës, figurat e ndritura si LirijeElezaga – Buzuku e shumë të tjerëvë do të na i kishte përpirë ndërrimi i gjeneratave dhe shterpësia jonë. Se gati i harruam delegatët apo deputetët tanë. Bamirësit tanë. Mësuesit e shumë kënd tjetër”.
Çapuni ka theksuar se “në tërë këto vepra, kamera dhe reflektori janë drejtuar në shtyllat mbajtëse dhe jo në dekor. Ka edhe shumë sosh që nuk janë trajtuar, por autori këtë lëshim dhe këtë mospërfillje nuk e bën nga qëndrimi apo bindjet e veta, por thjesht sepse nuk i ka rënë radha”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, autori Gjekë Gjonaj ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen në përurimin e librave dhe ata që e kanë mbështetur në rrugën e krijimtarisë së tij publicistike.
“E them me gjithë zemër se pjesëmarrja juaj në këtë mbrëmje më nderon dhe më rritë tej mase emrin tim. Rrallëherë e kam ndier veten më të përmbushur me dashuri e respekt njerëzor se sonte, i rrethuar me kaq miq të sinqertë e të shtrenjtë, pa të cilët do të isha shumëherë më i varfër shpirtërisht. Për mua dhe familjen time, kjo mbrëmje është jo thjesht e madhështisë sime, por është mbrëmje e miqësisë dhe afrimit në mes meje e juve, e respektit për njëri-tjetrin, pa dallime krahinore e të tjera”, është shprehur ai, duke shtuar se “mbase kultura, letërsia, arti, muzika, kënga, sporti e kanë këtë mision”.
Gjonaj ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur që përmes shkrimit ka mundësinë t’i bëj krenarë adhuruesit, shokët dhe miqtë e tij.
“Këtë mund ta bëj vetëm përmes të shkruarit, që unë e kam më shumë pasion, dëshirë e nevojë sesa profesion. Ata që mund të kenë ndjekur shkrimet e mia, kanë vënë re se unë shkruaj për popullin tim të shumëvuajtur në hapësirën mbarëshqiptare”, ka thënë ai.
Me këtë rast, janë lexuar edhe mesazhet e urimit që i kanë mbërritur autorit nga disa miq me rastin e përurimit të librave.
Gjekë Gjonaj është autor i shtatë librave. Përpos tri librave që janë përuruar, ai ka botuar më herët librat: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare“ (35 intervista me personalitete të shquara), “Gjurmëve të kohës” (përmbledhje shkrimesh publicistike) dhe ”Shqipet e maleve” (Jeta e shqiptarëve në zonat malore në Malin e Zi).
Përurimi është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, kurse librat janë botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Në fund të përurimit, autori ka ndarë libra falas për të pranishmit. (Koha javore)