Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, është ftuar në Uashington për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve i cili do të mbahet në periudhën nga 31 janari deri më 1 shkurt 2024.
Mëngjesi i Lutjeve është një mbledhje e njerëzve të bindjeve të ndryshme të cilët mblidhen së bashku për të ndarë kohë në lutje, reflektim dhe promovim të vlerave themelore të paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë.
Z. Bajraktari, si përfaqësues i komunës së Ulqinit, do t’i mbështesë me krenari këto vlera të rëndësishme dhe do t’i ofrojë mbështetje iniciativës që promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet njerëzve, pavarësisht nga dallimet e tyre fetare apo kulturore.
z. “Jam i nderuar që kam rastin ta prezantoj Komunën e Ulqinit në këtë ngjarje madhështore botërore që promovon paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin mes njerëzve të besimeve dhe kombeve të ndryshme, duke pasur parasysh se Komuna e Ulqinit është shembull i një harmonie të tillë” ka thënë Bajraktari.
Bajraktari do të shfrytëzojë rastin që të takohet me përfaqësues të diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të promovuar një bashkëpunim më të mirë ndërmjet pushtetit lokal dhe diasporës në interes të të gjithë qytetarëve, kudo që ndodhen.
Kjo ngjarje ofron një mundësi për të ndërtuar ura ndërmjet komuniteteve të ndryshme dhe Bajraktari është i nderuar që është pjesë e kësaj ngjarjeje frymëzuese.
Një fjalim nderi do të mbajë nikoqiri i Mëngjesit të Lutjes, Presidenti i SHBA-së, ndërsa në mëngjes do të marrin pjesë liderë, politikanë dhe biznesmenë nga mbi 140 vende të botës.