Kumtesë për opinion
Sot në Sallën e Madhe të Kuvendit të Komunës së Ulqinit u mbajt konferenca për media me rastin e përfundimit të projektit për vlerësimin zhvillimor të fëmijëve të moshës 0–6 vjeç në kopshtet në territorin e Komunën së Ulqinit. Projekti u realizua në bashkëpunim me Qendrën Terapeutike Heimerer dhe përfshiu vlerësime profesionale në institucionet parashkollore: Kopshti “Solidariteti”, Kopshti “Winnie the Pooh” dhe Kopshti “Xixëllonja”.
Në konferencë morën pjesë Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, përfaqësuesit e Qendrës Terapeutike Heimerer, z. Burim Beqiri, z. Bojan Radiq dhe znj. Ardita Zenullahu, si dhe Sekretarja për Sport dhe Rini, znj. Enisa Martinoviq.
Në fjalën e tij, Kryetari Nimanbegu theksoi se ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm mbështetjeje për zhvillimin e hershëm të fëmijëve, duke nënvizuar se vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin e të folurit, komunikimit, aftësive sociale dhe emocionale, si dhe për suksesin e mëvonshëm në arsim.
Përfaqësuesit e Qendrës Terapeutike Heimerer prezantuan metodologjinë e përdorur gjatë procesit të vlerësimit, rezultatet e arritura si dhe rekomandimet për hapat e ardhshëm. U theksua se qëllimi i projektit ka qenë parandalues identifikimi i hershëm i vështirësive të mundshme dhe ofrimi i udhëzimeve profesionale për prindërit dhe edukatorët, me qëllim ndërhyrjen në kohë dhe rritjen e mundësive për një zhvillim të suksesshëm të çdo fëmije.
Gjithashtu u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e përfshirjes aktive të prindërve dhe stafit të kopshteve në këtë proces, si faktorë kyç për suksesin e projektit.
Komuna e Ulqinit vlerëson se ky bashkëpunim përfaqëson një shembull të qasjes së përgjegjshme dhe proaktive ndaj politikave sociale dhe arsimore, duke vendosur në qendër mirëqenien dhe të ardhmen e fëmijëve.
Në përfundim të konferencës u theksua se iniciativa të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me synimin që mbështetja profesionale për fëmijët dhe familjet të bëhet praktikë e rregullt në komunën tonë.









