Delegacioni i komunës së Ulqinit në krye me kryetarin Fatmir Gjeka dhe nënkryetarët Safet Beci dhe Ardijan Mavriq do të vizitojnë dy ditët e ardhshme Kosovën. Vizitën e ka organizuar Organizata turistike, drejtori i së cilës Minir Karamanaga është po ashtu anëtar i këtij delegacioni.
Siç mëson Portali UL-info, bëhet fjalë para së gjithash për vizitë qëllimi i së cilës është që qytetarët e Kosovës ti njoftojë me ofertën e sivjetme turistike të Ulqinit, si për sezonin ashtu edhe për festat e majit. Gjeka dhe bashkëpunëtorët e tij do të marrin pjesë në programet e disa televizorëve më të shikuara në Kosovë, derisa të mërkurën në hotelin “Swiss Diamond” do të bisedojë me gazetarët e medieve kosovare.
Në komunë të Ulqinit vlerësojnë që prej tani duhet të nisen në betejë për mbrojtjen e pozitës lider në tregun e Kosovës, sepse Panairi i sivjetmë ndërkombëtar i turizmit, udhëtimit dhe hotelerisë në Prishtinë, i 8 me radhë, mbahet në fund të majit.