Të martën në Komunën e Ulqinit është mbajtur një takim në lidhje me investimet e mundshme si dhe panairin e ardhshëm të investimeve dhe patundshmërive i cili do të mbahet prej datës 7 deri, më 9 tetor 2013 në Mynih.
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e hoteleve ekzistuese dhe atyre të planifikuar në Komunën e Ulqinit: Galeb, Albatros, Star of Montenegro, Holegro, Mediteran, Riviera e Ulqinit, Inver Aqua Montenegro, Capital Estate (Lido), Rokshped si dhe përfaqësuesit e UBA.
Panairi i investimeve dhe patundshmërive Expo Real në Mynih në të cilin këtë vit do të marrë pjesë edhe Komuna e Ulqinit është panairi i dytë më i rëndësishëm në Europë dhe si i tillë paraqet mundësinë për prezantimin e projekteve të ndryshme të cilët do të mund të tërhiqnin investitorë të ndryshëm.
Kryetari Cungu i ka ftuar të pranishmit që të dorëzojnë kërkesat e tyre dhe projektet të cilët do t’u prezantohen investitorëve jo vetëm në Mynih, por edhe investitorëve në Arabinë Saudite me rastin e vizitës së planifikuar në atë vend që do të vijoj së shpejti.
Pjesëmarrësit e kanë përshëndetur këtë iniciativë dhe kanë treguar interesim që të prezantojnë projektet e veta.