Të enjten në Kollomzë, në kuadër të aktiviteteve që shënojnë Ditën e Komunës së Ulqinit dhe në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, është vendosur gurthemeli i Qendrës së re Ditore “Sirena”, një projekt i rëndësishëm që synon të ofrojë shërbime të specializuara për fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për komunitetin, duke qenë objekti i parë i këtij lloji pas shumë dekadash dhe një përgjigje konkrete ndaj nevojave të kahershme të familjeve që përballen me mungesë të shërbimeve të dedikuara.
Qendra “Sirena” do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 1,400 m² dhe do të ofrojë kushte moderne për edukim, terapi, aktivitete rekreative dhe integrim social. Një ndër veçoritë kryesore të saj është qasja gjithëpërfshirëse, duke përfshirë jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit mbi moshën 27 vjeç.
Vlera totale e projektit është 2.2 milionë euro dhe financohet nga buxheti i Komunës, duke dëshmuar përkushtimin institucional për të investuar në mirëqenien, dinjitetin dhe barazinë e qytetarëve.
Faza e parë e projektit përfshin ndërtimin e objektit dhe krijimin e bazës funksionale, ndërsa në fazat e ardhshme parashihet pajisja me mjete profesionale dhe sigurimi i stafit të specializuar.
Ky projekt pritet të ketë ndikim të gjerë shoqëror, duke forcuar solidaritetin dhe duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më humane.









