Kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka ka ftuar sipërmarrësit kosovar të investojnë në Ulqin. “Ne si komunë, por në nivel të Malit të Zi, kemi krijuar një sërë lehtësirash për ato të cilët dëshirojnë të investojnë”, tha ai për gazetarët e medieve kosovare të cilët ndodhen në vizitë studimore në Ulqin.
Gjeka shtoi që kjo sidomos ka të bëjë me investimet në objektet hotelerike, sepse kjo, siç tha, për momentin na mungon më së tepërmi për përmirësimin e ofertës turistike edhe për hapjen e vendeve të reja të punës.
Sipas fjalëve të kryetarit të komunës së Ulqinit, turistët nga Kosova përbëjnë numrin më të madh të mysafirëve të cilët pushojnë në rivierën e Ulqinit. Që tregu i këtij shteti është gjithnjë e më interesant edhe për Malin e Zi në tërësi, tregon dhe fakti që pak kohë më parë Organizata nacionale turistike ka mbajtur promovimin në Prishtinë.