Kompania e njohur nga Beogradi “Metroparking” do të bëj elaboratin në lëmin e parkingut për komunën e Ulqinit, mëson Portali Ul-info.Menaxheri i komunës Omer Bajraktari dhe sekretari për veprimtari komunale Avdulla Dervishi kanë vizituar sot me përfaqësuesit e kësaj firmë pjesën e ngushtë të qytetit.
Është arritur marrëveshja që elaborati, përveç të tjerash, të përmbajë propozimin për parking zonat, periudhat e lejuara për parkim, kategoritë e automjeteve të cilat mund të parkohet, mënyrën e pagesës së parkimit, si dhe vendparkimet e përgjithshme dhe të veçanta.
Eleborati po ashtu do të përmbajë vlerësimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të Ndërmarrjes së ardhshme publike “Parking shërbimi”, si dhe numri i të punësuarve të nevojshëm në këtë firmë, e cila duhet të fillojë me punë para fillimit të sezonit kryesor turistik.
Mbasi që elaborati të përfundojë, qytetarët do të kenë mundësi që gjatë kohëzgjatjes së shqyrtimit publik të japin vërejtjet e tyre për këtë dokument.