TË KONTRIBUOJMË PËR NJË MJEDIS TË PASTËR
Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu me bashkëpunëtorët e tij përshëndesin nismën e iniciuar nga OJQ-të për aksionin e paralajmëruar për datën 10 prill, e që ka të bëjë me pastrimin e “Pyllit të Pishave”.
“Ruajtja e mjedisit do të jetë një nga prioritetet tona”, tha Cungu dhe shtoi se ne duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi mjedisit.
Për këtë zonë atraktive për Ulqinin, pjesë me bukuri të veçantë natyrore dhe ambient çlodhës për vendas dhe të huaj, Kryetari Cungu ka kërkuar nga udhëheqësit e NP “Të mirat detare” që urgjentisht të punohet projekti dhe Pyllit të Pishave, i cili viteve të fundit është dëmtuar dukshëm, t’i kushtohet vëmendja e duhur. Në këto punë do të jetë e kyçur edhe NP “Veprimtaritë komunale”.
Me inaugurimin e murit mbrojtës dhe parmakëve të rinj, kjo pjesë është bërë shumë tërheqëse për vizitorët.
Pas këtij, pritet edhe një aksion i ngjashëm me përmasa më të mëdha me 22 prill, me rastin e Ditës Botërore të Tokës.
KOMUNA E ULQINIT NDODHET NË NJË SITUATË TË RËNDUAR EKONOMIKE
Kryetari i komunës së Ulqinit Z. Nazif Cungu është në kontakte permanente me zyrtarë të lartë qeveritarë, drejtorë të Drejtorive të ndryshme dhe me institucione ku shtruar dhe detajisht është duke kontaktuar lidhur me huazimet që ka komuna dhe gjetjen e rrugëve për kapërcimin e situatës së rënduar financiare.
Në ditët në vijim ai do të takohet me ministra të resorëve të ndryshëm, ndërkaq disa nga ta i ka ftuar që të gjejnë kohë për të vizituar Ulqinin dhe këtu të debatohet për këto probleme.
Kryetari Cungu pret që ministri i ekonomisë Vlladimir Kavariq, pozitivisht do ti përgjigjet ftesës dhe në takimin e zgjeruar ku do të jenë të pranishëm bashkëpunëtorët e tij dhe afaristë, do të debatohet për mundësinë e investimeve, e ku rroli i Qeverisë në këtë drejtim mund të jetë shumë i madh.
Poashtu në ftesën që i bën kryetari Cungu , ministrit të ekonomisë tema që do të shqyrtoheshin do të ishin dhe ata nga fusha e energjetikës dhe dhënia me koncesion për eksploatimin e mineraleve.
KËRKOHEN ZGJIDHJET PËR BORXHIN NDAJ DEPONISË RAJONALE “MOZHURA”’
Kryetari i Ulqinit Z.Nazif Cungu me bashkëpunëtorë u takua sot me drejtorin e Deponisë sanitare Z.Dragan Simoviq. Bashkëbiseduesit u fokusuan tek borxhet e mëdha që komuna e Ulqinit i ka ndaj kësaj ndërmarrjeje rajonale dhe që për fat të keq të mosshlyerjes ndër vite për Komunën tonë kapin shumën mbi 350.000 euro.
Të ndodhur në një situatë të tillë të vështirë dhe një procesi gjyqësorë të paralajmëruar në dëm të komunës tonë më 25 prill, kryetari Cungu ka propozuar që të nënshkruhet një marrëveshje trepalëshe dhe me cesion të bëhet shlyerja e borxheve, ku komuna është garant, kuptohet në masën e përballueshme. Ky hap është i domosdoshëm deklaroi Cungu, veçmas kur dihet që sezoni turistik po troket.
Për të gjitha këto tha Kryetari Cungu, hollësisht do të njoftojmë Kuvendin Komunal.