Drejtimet e ardhshme dhe aktivitetet konkrete që do të përmirësojnë më tej cilësinë e kujdesit shëndetësor për banorët e komunave Ulqin dhe Tivar ishin tema e takimit të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe ministrit të Shëndetësisë, dr. Vojislav Shimun. Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe deputeti dr. Ilir Çapuni dhe drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit Ulqin, dr. Sadije Hollaj.
Kryetari Nimanbegu shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Shtëpisë së Shëndetit, siç ishte bërë edhe më parë me angazhimin e mjekëve gjatë fundjavës në ambulancën e Katërkollës, por edhe në fusha të tjera. Ministri Shimun deklaroi se Ministria e Shëndetësisë, duke zbatuar politikat e Qeverisë së Malit të Zi, vazhdimisht punon për rritjen e nivelit të shërbimeve shëndetësore në të gjithë vendin përmes modernizimit infrastrukturor dhe tekniko-teknologjik, si dhe edukimit dhe zhvillimit profesional të kuadrit mjekësor. Ai theksoi se po shqyrtohen të gjitha mundësitë e veprimit për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët dhe turistët e Ulqinit. Në këtë drejtim, sipas tij, në buxhetin kapital për vitin 2024 është përfshirë projekti për zgjerimin e një pjese të Shtëpisë së Shëndetit Ulqin, dhe në këtë pjesë të zgjeruar do të vendoset hapësira për Qendrën e Radiologjisë. Punimet kanë filluar dhe vlera e kontraktuar e punimeve është 484,000 euro me TVSH.
Sa i përket forcimit të kapaciteteve kadrovike, ministri Shimun theksoi se në Planin vjetor të specializimeve dhe subspecializimeve për vitin 2023 për Shtëpinë e Shëndetit Ulqin janë parashikuar katër specializime, nga biokimia klinike, pediatria, mjekësia familjare dhe mjekësia sportive, ndërsa në Planin vjetor për vitin 2024 janë parashikuar nëntë specializime, tre nga mjekësia familjare, një nga pediatria, dy nga gjinekologjia dhe obstetrika, një nga radiologjia, një nga biokimia klinike dhe një nga higjiena. Përveç kësaj, edhe pse kishte një detyrim ligjor që nuk u respektua, kjo administratë e Ministrisë së Shëndetësisë siguroi edhe një farmacist tjetër në farmacinë “Katërkollë”, duke mundësuar që procesi i punës të zhvillohet në të dyja ndërrimet.
Në takim u diskutua edhe mundësia që, përmes buxhetit që ka në dispozicion Ministria e Shëndetësisë për nevojat e turizmit shëndetësor, së bashku me vetëqeverisjen lokale, të fillohet me hartimin e studimit të fizibilitetit për projektin e ndërtimit të një objekti për institucionin për trajtimin e infertilitetit, në kuadër të të cilit do të planifikohej një maternitet i pajisur.
Gjithashtu, u propozua që të forcohet bashkëpunimi me sistemet shëndetësore të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të të cilit mjekët e ardhshëm të mund të kryejnë specializimin e tyre, si dhe që në institucionet tona shëndetësore, veçanërisht në Spitalin e Tivarit, në bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale, të angazhohen specialistë nga këto vende. U theksua nevoja që të shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet fondit shëndetësor të Malit të Zi dhe të Republikës së Shqipërisë, me qëllim të dërgimit potencial të pacientëve nga Mali i Zi në institucionet shëndetësore të Republikës së Shqipërisë, si dhe, pas sigurimit të kornizës ligjore, të hapet një dispanseri për dermatologji dhe specialitete të tjera të nevojshme në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit Ulqin.