Komuna e Ulqinit, ka kohë që ka zhvilluar konsultime me të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e dhënies me qira të objekteve të përkohshme në zonën e Të Mirave Detare, me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura që janë paraqitur.
Nisur nga fakti që Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh vetum duke ngritur çmimet me qëllim ngritjen e të ardhurave, konsiderojmë se një veprim i tillë, në këtë moment, është krejtësisht i njëanshme dhe mund të ketë pasoja negative në ekonominë e Ulqinit.
Një qasje e tillë do të çonte në një rritje të madhe dhe ekonomikisht të paarsyeshme të çmimit të qirasë, që do të reflektohej negativisht në ofertën turistike të Ulqinit. Në këtë rast, Komuna duhet të ndërhyjë për të parandaluar ndikimet negative në ekonomi.
Përveç kësaj , është krejtësisht e papranueshme që sipërmarrësit, të cilët për shumë vite kanë paguar qira, kanë investuar dhe kanë mirëmbajtur plazhet, të injorohen në procesin e dhënies së plazheve me qira për shkak të politikës së re të pikëve. Kjo mund të krijojë një situatë që sezoni turistik të nisë me plazhe të mbyllura, ndërkohë që Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare nuk ka përcaktuar ende se kujt i përket cili plazh.
Gjithashtu, theksojmë se përmes Unionit të Komunave është dorëzuar një iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Të Mirate Detare i cili parashikon që kompetencat e menaxhimit të zonës së Të mirave detare t’i përkasin njësive të vetëqeverisjes lokale, në territorin e të cilave ndodhet kjo zonë. Në këtë mënyrë, eliminohet përfundimisht çështja e legjitimitetit të menaxhimit të territorit të komunës, një çështje që ka qenë e hapur për shumë vite.
Bazuar në argumentet e cekura Komuna e Ulqinit apelon tek Qeveria e Malit të Zi që të mos miratojë planin për objektet e përkohshme në zonën e Të Mirave Detare derisa të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura. Gjithashtu, kërkojmë që të mundësohet përdorimi kësaj zone edhe këtë vit përmes një aneksi, ashtu si në vitin e kaluar, duke pasur parasyshë se ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet për dhënien me qira disa vjeçare.