Hendbollistja e njohur, pjesëtarja e skuadrës kampione të “Buduqnostit”, Majda Mehmedoviq, qëndrojë sot në vizitë në Ulqin.
Kryetari i komunës Fatmir Gjeka me bashkëpunëtorë ka pranuar në kabinetin e vet Mehmedoviqen, të cilën e shoqëroi babai i saj Enveri.
Kryetari tha se Ulqini, nga ku e ka prejardhjen Majda, është krenar për te dhe sukseset e saja. “Ju jeni shembulli më i mirë për të rinjtë si me punë të madhe mund të arrihen sukseset e mëdha”, shtoi Gjeka.
Në emër të komunës, ai i dha Mehmedoviqes dhurata dhe buqetën me 25 karafila, si simbol për datëlindjen e 25 të cilën ajo e feston për dhjetë ditë.
Duke iu falënderuar për ftesën dhe dhuratat “luanesha e artë” tha se ndjehet veçanërisht e nderuar. “Jam e gëzuar se shumë vajza duke ndjekur shembullin tim dëshirojnë të luajnë hendboll ose të merren me ndonjë sport tjetër”, shtoi Mehmedoviq.