Në Sallën e madhe të komunës së Ulqinit është mbajtur shqyrtimi publik mbi Draftin e Planit hapësinor urbanistik të Ulqinit. Këtë dokument e kanë prezantuar përfaqësuesit e Ministrisë së zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit si dhe përpunuesit. Ato, para sallës së mbushur plot të qytetarëve të interesuar, kanë theksuar se janë vendosur për skenarin e rritjes së qëndrueshme të komunës deri në vitin 2020.
Por, numri më i madh i qytetarëve kishte shumë vërejtje në draftin e PHU-së për të cili theksuan se, kryesisht, nuk është në interesin e tyre dhe të Ulqinit.
Për këtë arsye kanë propozuar që, për shkak të vërejtjeve sistematike, sezonit veror dhe muajit të Ramazanit, shqyrtimi publik të shtyhet edhe për një muaj.
“Ky nuk është Kur’an as Bibl, por Draft”, tha zyrtari I Ministrisë së zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit Nikolla Petroviq duke shtuar që të gjitha vërejtjet do të shqyrtohen.
Është arritur përfundimi që ky dokument, përpilimi i të cilit para pesë viteve me marrëveshje të komunës së Ulqinit dhe Qeverisë, është lënë pushtetit qendror, duhet të sillet me pëlqimin e pushtetit lokal.
Shqyrtimi publik për Draftin e PHU-së do të mbahet nesër në Katërkollë.