Qendra për edukimin qytetarë në bashkëpunim me OJQ – Banum nga Plevla, Inkubator nga Kotorri dhe Qendra për gazetari investigative nga Podgorica të cilët me mbështetje të BE janë duke realizuar projektin “Mendo lokalisht –Vepro lokalisht! – Lufta kundër korrupcionit në nivelin lokal”, në kuadër të vizitave që përfaqësuesit e këtyre shoqatave janë duke bërë në qytetet e Malit të Zi, sot qëndruan për një vizitë pune në Ulqin, ku u pritën nga kryetari Nazif Cungu dhe bashkëpunëtorët e tij.
Boris Mariq, nga Qendra për edukim tha që projekti i cili do të zgjas një vit e gjysëm ka për qëllim të ndihmojë zhvillimin e pjesëmarrjes së shoqatave civile në aplikimin e politikës së antikorupcionit, nëpërmes monitorimit, raportimit dhe mbikqyrjes së aktiviteteve në nivel lokal në Mal të Zi, por kryesorja është që qytetari ta përjetësojë si gjënë e tij atë se çfarë ndodh përreth.
Nga ana tjetër kryetari Cungu rikonfirmoi gatishmërinë për të luftuar dhe çrrënjosur korupcionin. Ai paralajmëroi transparencë dhe llogaridhenie për sejcilin sekretariat dhe shërbim dhe tha se Qendra për Informim që funksionon në kuadër të komunës tonë do të paiset me aparatura të tjera moderne të cilat do ti kontribuojnë luftës së korupcionit.
Në takim bashkëpunëtorët e kryetarit Cungu njoftuan me aktivitetet që janë bërë deri tani, ndërsa u zgjodhën nënkryetarja Hadixhe Gjoni dhe drejtoresha e Qendrës për Informim Teuta Mehmeti që të jenë në kontakte të vazhdueshme me implementuesit e projektit.