“Nga ditët e para të pandemisë tentova të shpjegojë se virusi do të pësojë mutacion gjatë përhapjes nëpër botë. Mutacionet e reja mund ta bëjnë virusin më shumë ose më pak të rrezikshëm për shëndetin e të infektuarve, por po ashtu mund të mundësojnë që në mënyrë më shumë ose më pak efikase të përhapet në mesin e njerëzve. Analizat shkencore preliminare kanë treguar se në Mbretërinë e Bashkuar, siç duket, është shfaqur soji i ri i virusit i cili ndoshta përhapet deri në 70% më efikas seç ishte rasti me variantin e parë me të cilin u ndeshëm”, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk profesori dhe epidemiologu i njohur Igor Rudan.

Si pasojë, thotë ai, masat të cilat me sukses ngadalësuan dhe ndaluan sojet paraprake s’do të jenë të mjaftueshme për ndalimin e variantit të ri, i cili nga mesi i shtatorit u përhap shpejtë në Londër dhe në juglindje të Anglisë.
“Për këtë arsye kryeministri Boris Xhonson njoftoi se Londra do të hyjë në NIVELIN 4 të mbylljes (TIER 4 lockdown) – më të rreptin e mundshëm – deri më 30 dhjetor. Edhe pse ai shpresoi që masat të cilat ishin në fuqi gjatë pjesës më të madhe të dhjetorit do të mundësojnë festat më të relaksuara, frika nga soji i ri kushtëzojë rindryshimin e strategjisë dhe një vendim të tillë”, përfundon Rudan.
Kryeepidemiologu britanik Kris Viti tha se shënohet “rritje drastike” e numrit të rasteve të infektimit me variantin e ri dhe se ky soji i ri ndoshta mund të përhapet më shpejt nëpër popullsi.
“Momentalisht nuk ka shenja që mund të pohojnë se soji i ri i koronavirusit mund të shkaktojë vdekshmëri më të madhe dhe as të ndikojë në vaksinën dhe mënyrën e shërimit. Po vijojnë hulumtimet urgjente të cilat duhet të vërtetojnë një pohim të tillë”, shtoi Viti ndërsa transmeton BBC.
Met Henkok, ministri britanik i shëndetësisë tha se soji i ri i virusit, i cili përhapet më shpejt nga variantet tjera nuk është më i rrezikshëm, por duhet të vendoset nën kontroll.
“E vetmja mënyrë është kufizimi i kontakteve sociale dhe në thelb, në veçanti në zonat me numër më të lartë të të infektuarve, të gjithë duhet të sillen sikur ndoshta e kanë virusin dhe në atë mënyrë mund ta vendosim nën kontroll dhe të mbrojmë njerëzit”, tha Henkok të dielën, shkruan CNN.
Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi kumtoi të hënën se janë të përqendruar që përmes mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar të marrin pjesë në shkëmbimin e informatave dhe intensivisht përcjellin ngjarjet epidemiologjike pas paraqitjes së sojit të ri të koronavirusit, të zbuluar në Britaninë e Madhe.
Ato thanë se, në varësi të zhvillimit të mëtejmë të situatës epidemiologjike, nëse të dhënat dhe provat që do të akumulohen gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme do të tregojnë qartë se ekziston nevoja, do t’i propozojnë Ministrisë së Shëndetësisë masat shtesë në mënyrë që të parandalohet importimi dhe përhapja e sojit të ri gjenetik të koronavirusit.
“Për momentin është absolutisht e sigurt që të gjitha masat e përgjithshme dhe jospecifike kundër epidemike kanë rezultat të plotë edhe ndaj sojit të ri të koronavirusit, e ato masa janë: mbajtja e maskës, ruajtja e distancës, shmangja e tubimeve dhe mirëmbajtja e higjienës së duarve. Vetëm duke u përmbajtur këtyre masave mund të arrijmë rezultate të kënaqshme dhe të parandalojmë sëmundjet e mëtejme nga ky dhe nga të gjithë ndryshimet tjerë potenciale të koronavirusit”, u kumtua nga Instituti.
(Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Infoterapia në epokën e koronës”, të cilin e realizon OJQ “Ul info”, e i cili është pjesë e projektit “Promovimi i alfabetizmit mediatik dhe informativ dhe fuqizimi i mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor”, të cilin e realizojnë Albany Associates, Instituti për Media i Malit të Zi dhe Mediacentar Sarajevo.)