KOSOVARËT: SHQIPËRIA ËSHTË VEND I PASIGURT

Policia e Durrësit bëri të ditur të enjtën se ka arrestuar katër të rinj, të cilët në mbrëmje të mërkurës kanë grabitur me armë pushuesit kosovarë në plazhet e këtij qyteti.

Policia e Durrësit bën me dije se në pranga kanë përfunduar shtetasit Leonard Fierza, Hasan Tosku 21 vjeç, Haki Nuci 24 vjeç, Jetmir Mera 19 vjeç.

Tre prej tyre janë nga Burreli dhe njëri nga Shkodra.

Por pavarësisht këtij lajmi, e përditshmja kosovare Zëri shkruan se rrugët e Shqipërisë janë të pasigurta.

Sipas kësaj të përditshme, grabitjet e udhëtarëve madje edhe në Rrugën e Kombit, thyerja e xhamave të autobusëve kosovarë, ka rikthyer në kujtesë periudhën e anarkisë dhe bandave.

Por ndërsa zyrtarë të policisë shqiptare thonë për Zërin se kjo është propagandë mediatike, qytetarët ndjehen të pasigurt.

Një kosovare thotë se po mendon të anulojë udhëtimin në Shqipëri pasi ka dëgjuar lajmet për grabitje.

Ajo shton se ai që quhet bashkëpunim mes policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë po bëhet vetëm për të vënë gjoba.

Kurse Merita Visoka shprehet: “Kam ardhë nga Gjermania me shpresën që me i kalue pushimet në Shqipëri, por tash që po i dëgjoj këto lajme që udhëtarët janë duke u plaçkitur nëpër rrugët e Shqipërisë, zor se mund të shkoj. Thjesht kam frikë se nuk ndihem e sigurt që të udhëtoj, e aq më pak të shkoj për pushime atje”.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani thotë për Zërin: “Kemi kërkuar nga autoritetet policore të Shqipërisë njëkohësisht që të rriten masat e sigurisë në ato lokacione ku kryesisht kanë ndodhur incidentet. Policia e Kosovës vazhdon të jetë prezent në kuadër të marrëveshjes që ka me Policinë e shtetit shqiptar, me qëllim të ofrimit të mëtutjeshëm të sigurisë, kryesisht sigurisë në komunikacionin rrugor për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kalojnë në atë pjesë”./ (TemAonline)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi