Në mesin e personave që po hetohen nga Policia e Kosovës, për aktivitete të dyshimta është edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.
Tërnava po hetohet për pranim të fondeve të dyshimta dhe për emërime të imamëve të dyshimtë për ekstremizëm, njofton KTV.
Ndërsa Idriz Bilalli është ndër imamët e parë që ka dalë kundër tolerancës së Bashkësisë Islame ndaj hoxhallarëve ekstremistë.
Për situatën e krijuar pas arrestimit të 40 të dyshuarve për terrorizëm, Bilalli ia hedh fajin Kryetarit dhe Kryesisë së Bashkësisë Islame. Sipas tij, Naim Tërnava është dashur me kohë të marrë masa ndaj imamëve që kanë kultivuar të keqen.
Ai ka thënë se të arrestuarit e fundit nuk e përfaqësojnë islamin tradicional shqiptar, pasi kjo fe promovon paqe, tolerancë dhe mirëkuptim ndërmjet njerëzve.