Këto ditë dhe javë gjithnjë e më shumë flitet për rëndësinë e shëndetit mendor. Një grup i njerëzve të rinj u tubuan me qëllim që të promovojnë atë, duke formuar organizatën me emrin “Psiko aktiv”(në gjuhën malazeze: “Psiho aktiv”).
Pjesë e shoqatës janë aktivistët dhe aktivistet kryesisht nga sfera e psikologjisë. Kjo shoqatë shërben edhe si platformë për shpërndarjen e mendimeve të ndryshme, por edhe për promovimin e psikologjisë, filozofisë, ekologjisë, kulturës dhe përdorimin e teknologjive për këto qëllime.
Pra, qëllimi kryesor i “Psiko aktiv-it” është rritja e vetëdijes për ruajtjen e shëndetit mendor. Me dijen e tyre dhe me veprimtarinë e tyre hulumtuese këto ekspert tentojnë që me forca të përbashkëta të ndihmojnë që paniku, frika dhe/ose pasiguria e mundshme të zëvendësohen nga dija dhe përkrahja.
Skuadra përmbahet nga psikologët dhe psikologet, të moshës së re, të cilët kanë mendime dhe perspektiva të ndryshme. Ky fakt iu ndihmon që, në mënyrë efikase, ta udhëzojnë njëri tjetrin mbi gabimet e mundshme dhe mbi gjërat që mund të përmirësohen, por edhe që të merren me një spektër të gjerë temash të ndryshme. “Ofrojmë fjalët në trajtën e substancave që aktivojnë psiken tuaj”, theksojnë ato.
Në epokën e pandemisë së COVID-19, Shoqata “Psiko aktiv” është e përqendruar që përmes e-shërbimit të ofrojë ndihmë efikase për qytetarët e Malit të Zi, para së gjithash në formën e ndihmës psikologjike, si dhe me postimin e video-materialeve informuese në platformat shoqërore.
Prandaj, ato e dëgjojnë me vëmendje secilin i cili iu drejtohet, i japin këshilla konkrete dhe konstruktive, ndërsa, nëse shfaqet nevoja, i udhëzojnë tek organizatat ose individët tjerë, siç janë Kryqi i Kuq i Malit të Zi ose Instituti i Shëndetit Publik.
Siç deklaruan, deri tani iu drejtua një numër i madh i qytetarëve/eve dhe kishin eksperienca tejet pozitive. Apostrofojnë se për ata është e rëndësishme që njerëzit të jenë të vetëdijshëm që personat me të cilët flasin janë jashtë mase të besueshëm dhe se shfrytëzuesit kanë lirinë e plotë të flasin mbi emocionet e veta dhe të shprehin mendimin e tyre.
Anëtarët e kësaj organizate përpiqen në masë të madhe që ta luftojnë stigmatizimin dhe paragjykimet të cilët njerëzit kanë kur i drejtohen për ndihmë psikologëve/eve.
“Jemi të hapur për çdo qytetar të Malit të Zi të bindur se me përpjekjet e përbashkëta mund të tejkalojmë çdo gjë që na mundon dhe na prish qetësinë tonë”, thonë nga Shoqata “Psiko aktiv”.
Një nga themeluesit e kësaj shoqate është Ulqinakja e re, magjistrante në Universitetin “Donja Gorica” (në gjuhën malazeze: Univerzitet Donja Gorica – UDG) në Podgoricë, Hakile Resulbegoviq.
Teksti u hartua në kuadër të projektit “ZËRI IM NË KOMUNËN TIME”, të cilin e realizon OJQ Horizonti i Ri në partneritet me OJQ “Ul info” dhe Bibliotekën e Qytetit – Ulqin. Projekti mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të programit “e-Demokracia – merr pjesë, propozo, ndrysho”, në fushën e reformës së administratës publike. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e donatorit.