KUSH ISHTE NASRADIN HOXHA?

Nasradin Hoxha, Nasrudin HodzaNjë ditë prej ditësh Nasradin Hoxha vjen pranë liqenit me një enë të mbushur me kos dhe fillon ta zbrazë në liqe. Populli me të parë hoxhën e pyesin me përbuzje se çfarë bën. Hoxha me një buzëqeshje djallëzore në fytyrë ju përgjigjet: “Po e zë kosin në liqe”. Populli i habitur i thonë hoxhës se një gjë e tillë nuk është e mundur ndërsa hoxha përgjigjet duke thënë: “Po nëse bëhet?”…
Nasradin Hoxha është i njohur në mbarë botën për nga mendjemprehtësia e tij dhe si njëri prej humoristëve e dijetarëve popullor të Anadollit. Njëra prej barsoletave të njohura të Nasradinit e quajtur “Po nëse bëhet”, që ka për qëllim dhënien e mësimit personave të cilët kanë dhënë veten pas gjërave të pamundura, është edhe tema e sivjetme e Festivalit Ndërkombëtar të Nasradin Hoxhës në Akshehir. Ky festival, që është edhe njëri prej festivaleve më të vjetra të Turqisë, organizohet çdo vit në nënprefekturën Akshehir të Konjas mes datave 5-10 korrik. Festivali fillon në mënyrë simbolike më 4 korrik me ftesën e bërë nga tyrbja e Nasradin Hoxhës në Akshehir.

Më këtë datë shkohet pranë liqenit të Akshehirit për të zënë kos dhe festivali zgjatë deri më datën 10 korrik. Duke filluar prej vitit 1959 e këtej shkencëtarët, artistët dhe poetët nga të katër anët e botës nëpërmjet Nasradin Hoxhës ndajnë mes tyre pasuritë e tyre kulturore. Shfaqjet e valleve dhe koncertet e muzikës, ekspozitat e fotografisë, pikturave dhe karikaturave, shfaqjet teatrale dhe të filmave mundësojnë që populli brenda këtyre 6 ditëve të përjetojnë një përvojë të festivalit të ndërthurur me artin dhe artistët. Prej vitit 1959 e këtej një numër i madh i artistëve të famshëm duke e gjallëruar mjeshtrin e humorit nga Akshehiri, Nasradin Hoxhën, e bartën deri në ditët e sotme tolerancën e pafundme dhe ndjenjën e thellë të humorit.

Mirëpo kush ishte Nasradin Hoxha? Nasradin Hoxha ishte një dijetar popullor, i cili lindi në Eskishehir në vitin 1208, por jetoi në Akshehir prej fëmijërisë së tij. Ka kryer shkollimin në medrese, kreu edhe detyrën e imamit dhe kadiut (gjykatësit), madje thuhet se ka qenë edhe mësimdhënës në medrese. Thuhet se për shkak të këtyre detyrave që kreu me kalimin e kohës mori edhe titullin hoxhë. Informatat në lidhje me jetën e Nasradin Hoxhës, me kohë janë përzier me gojëdhënat popullore dhe për të thuhet se kishte veçori të jashtëzakonshme të jetë prezent në dy vende njëherësh. Populli aq shumë e donë atë sa që pasi Nasredin Hoxha njihet me sulltanin e selxhukasve ai bëhet i afërt edhe me dijetarin e famshëm të tasavufit, Mevlana Xhelaledin Rumiun, ndërsa besohet se kishte biseduar edhe me prijësin e famshëm turk Timurin.

Është vështirë që Nasradin Hoxha të paramendohet pa gomarin e tij. Gomari në barsoletat e tij në të vërtet është simboli i qëndresës ndaj dhimbjes, vështirësive dhe urisë. Nasradin Hoxha duke e përdorur simbolin e gomarit njerëzve ju përcjell mësime nga toleranca. Një ditë Nasradin Hoxha dëshiron tu jap një mësim të mirë fshatarëve, të cilët torturojnë kafshët e tyre me barra të rënda, dhe me një thes të rëndë në supe hip mbi gomarin. Fshatarët habiten kur e shohin hoxhën dhe e pyesin: “Hoxhë mbi supe ke thesin dhe ke hipur mbi gomarin si bën kjo punë kështu?”, ndërsa hoxha me mendjemprehtësi të tij ka përgjigjen e gatshme. “Kafsha e shkretë është duke më shërbyer ditë e natë. Më bartë në shpinë, bartë barrën time dhe e rrokullisë rrotën e mullirit. Pas të gjitha këtyre punëve të rënda nuk desha ta ngarkoj edhe me këtë thes të rëndë, për këtë arsye unë e bartë thesin”.

Përgjigjet me humor të Nasradin Hoxhës të dhëna për ngjarjet ditore të zakonshme arritën deri në ditët tona. Edhe pse Nasradin Hoxha nuk ka lënë pas ndonjë vepër të shkruar, humori i tij është transmetuar gojarisht deri në ditët tona prej shekullit të 13-të. Dihet se tregimi i parë i shkruar në lidhje me Nasradin Hoxhën është shkruar në veprën e titulluar “Saltukname” të Ebul Hajr Rumiut në vitin 1480. Saltukname është një vepër e shkruar gjatë një periudhe 7-vjeçare në të cilën janë mbledhur traditat gojore të turqve. Duke filluar prej shekullit të 16-të barsoletat e Nasradin Hoxhës janë përmbledhur në libra. Njëra prej këtyre librave më të vjetra është edhe “Hikajeti Kitabi Nasradin” që është shkruar në vitin 1571. Botimi i parë i barsoletave të Nasradin Hoxhës është libra e titulluar “Letaif” që u botua në vitin 1837. Ndërsa libra e parë e ilustruar e Nasradin Hoxhës u botua në vitin 1869. Në bibliotekat e ndryshme të botës ndodhen gjithsej 68 libra në lidhje me Nasradin Hoxhën ku 12 prej tyre gjinden në Turqi. Ndërkaq në ditët e sotme barsoletat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Barsoletat e Nasradin Hoxhës kaluan kufijtë e kohës kur jetoi dhe Akshehirin dhe arritën edhe në Ballkan, Azinë e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Evropë. Shumica e popujve në Lindjen e Afërt, Lindjen e Mesme dhe Azinë e Mesme, Nasradin Hoxhën e njohin dhe përvetësojnë me emra të ndryshëm. Barsoletat e Nasradin Hoxhës kanë arritur edhe në Itali. Dihet se barsoletat që tregohen mes popullit në Sicili janë të frymëzuara nga Nasradin Hoxha. Arsyeja e popullaritetit kaq të madh të Nasradin Hoxhës mes popujve të ndryshëm të botës është se të jetuarat e tij e bëjnë të jetë vet zëri i popullit. Nasradin Hoxha në barsoletat e tij kritikon shoqërinë, individët madje edhe veten dhe duke ofruar zgjidhje për probleme ai gjithmonë jep mesazhin e tolerancës, optimizmit, vëllazërisë dhe paqes. Me personalitetin e tij të mprehtë Nasradin Hoxha është një dijetarë i përjetshëm, i cili tregon njerëzve rrugën e vërtetë. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, vitin 1996 e shpalli si viti i Nasradin Hoxhës dhe me këtë rast janë shtuar edhe studimet në lidhje me këtë personalitet. Ndërkaq viti 2008 është pranuar si 800-vjetori i lindjes së Nasradin Hoxhës dhe këtë vit u organizuan aktivitete të ndryshme. Ndërkohë nuk duhet harruar edhe Konkursin Ndërkombëtar të Karikaturës së Nasradin Hoxhës që organizohet çdo vit.

Një ditë një grup njerëzish e ndalin Nasradin Hoxhën, i cili ishte duke kaluar aty pranë dhe e pyesin se “Ku ndodhet qendra e botës?” Hoxha largohet disa hapa prej tyre dhe shkopin e tij e ngulit në tokë dhe ju thotë: “Ja këtu është qendra e botës”. “Si bëhet?” pyesin njerëzit e habitur, ndërsa Nasradin Hoxha ju përgjigjet “Nëse nuk më besoni mund të matni”…
Nëse edhe ju dëshironi që këmba e juaj të shkelë mu në qendër të botës, atëherë mund ta vizitoni tyrben e Nasradin Hoxhës që ndodhet në Akshehir ku ndodhet edhe pllaka me mbishkrim “Qendra e botës”. Këtu ata të cilët shkelin në pllakë marrin një certifikatë ku shkruhet “Ky shtetas i botës në praninë e Nasradin Hoxhës ka shkelur në qendër të botës, kush nuk beson mund ta matë”. Të japim edhe një informatë për dëgjuesit tanë që nuk besojnë, Shoqata e Nasradin Hoxhës në vitin 2007 nga Instituti i Patentave të Turqisë ka marr certifikatën ku shkruhet “Akshehiri Qendra e Botës”.
Në qoftë se mes datave 5-10 korrik rruga ju shpie në drejtim të Akshehirit të Konjas, atëherë keni gjasa shumë të mëdha për tu takuar me Nasradin Hoxhën. Pra, mund të takoheni me Nasradin Hoxhën, sepse gjatë kohës së festivalit në Akshehir, përfaqësuesit simbolik të tij duke i gjallëruar barsoletat e bartin në ditët e sotme tolerancën universale që jeton në zemrat tona. Madje mund ti dëshmoni përzierjes së kosit në liqe nga ana e Nasradin Hoxhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Ulqini kishte privilegje të veçanta në perandori

Në shtetin romak, qytetarët ilirë (Olciniatët) dhe Ulqini si seli e tyre gëzonin pozicionin e një qyteti me privilegje të veçanta (oppidum civium Romanorum). Në epokën e Bizantit ky qytet ishte seli peshkopale dhe porti