Kuvendi i Malit të Zi nuk e ka miratuar propozimin e Ministrisë së shëndetësisë për riorganizimin e sistemit shëndetësor në vend. Me këtë propozim, përveç tjerash, ishte e parashikuar që Shtëpia e shëndetit në Ulqin ti bashkohet Qendrës regjionale shëndetësore me seli në Tivar.
Sikur të ishte miratuar propozimi i Qeverisë, Shtëpia e shëndetit në Ulqin formalisht do të mbante këtë emër, por ajo nuk do të kishte subjektivitetin e vet juridik dhe as xhiro llogarinë e vet, ndërsa drejtorin e Shtëpisë do ta vendoste drejtori i qendrës, e atë ministri.
Ministri i shëndetësisë Miodrag Radunoviq më herët tha që Qeveria “po përmirëson cilësinë e mbrojtjes shëndetësore me lëvizshmëri më të madhe të mjekëve dhe me sjelljen e kuadrove specialist”.
Qytetarët e Ulqinit, të cilët gjithmonë kishin eksperienca negative me centralizimin, mendonin që kjo reformë do të kishte pasoja negative për komunën e tyre, si dhe për nivelin e arritur të mbrojtjes shëndetësore.