Kuvendi i Malit të Zi do të shqyrtojë të mërkurën Propozim ligjin për ullishtari. Me këtë akt, siç shpjegoi ministri i bujqësisë Petar Ivanoviq, është futur definicioni i ullishtës, gjegjësisht që bëhet fjalë për sipërfaqe minimale prej 0,5 hektar dhe numrin minimal të trungjeve 200 për hektar. Me ligj është parashikuar dhe regjistri i ullishtarëve, si dhe kategorizimi i vajit të ullirit, gjë që është kusht që prodhuesi ta qes në shitje prodhimin e vet.
Ligji parasheh dënime të larta me para për persona juridik që prodhojnë vaj ulliri pa leje, si dhe nëse nuk mbajnë evidencë për grumbullimin dhe prejardhjen e frytit si dhe sasinë e vajit të prodhuar. Dënimi për mosdorëzimin e të dhënave ministrisë përkatëse janë prej pesë deri në dhjetë mijë euro.
“Jemi të mendimit që dënimet janë të tepruara dhe të papranueshme për kushtet tona, sepse grupi i synuar është disproporcionalisht i vogël dhe ekonomikisht i shteruar kështu që propozojmë që ato të jenë më të moderuar dhe përshtatshëm”, është qëndrimi i ullishtarëve nga Ulqini.
Për dallim nga Ligji i mëparshëm nga viti 1992 në këtë nuk është cekur që Ullishta në Valdanos, më e madhja në Balkan, vendoset nën mbrojtje të shtetit.