Të shtunën më 23 shkurt 2019 në Atelen Gazi në Ulqin u mbajt takimi i dytë me radhë i diskutimeve. Tema kësaj radhe ishte veshja popullore e Ulqinit dhe rrethinës me çrast të pranishmit prezantuan pjesë nga veshja kombëtare si dhe diskutuan për problematikën që lidhet me këtë tematikë. Nikoqiri Gazmend Çitaku në fjalën e tij hyrëse bëri një prezantim të shkurtër të veshjes popullore të kësaj zone e që lidhjet e saja shkojnë deri në antikitet. Këtë në mënyrë krahasimore e pasqyroi me fotografitë e disa veshjeve të trevës së Uqlinit dhe ngjashmlërinë e tyre me stelat antike të periudhës ilire si psh Stela e gruas e gjetur në Dimal dhe ngjashmëria e saj me veshjen e gruas shestaneshë të Ulqinit, pastaj veshja me xhubletë dhe ngjashmëria e saj me figurën e vallëtares etruske që daton 4000 vjet p.e.re por edhe stelen e gruas nga Elbasani dhe ngjashmëria e saj me ate kranjane apo anamalase. Por, që problematikë më të madhe Çitaku përmendi humbjen e veshjes tradicionale të mashkujve nga qyteti i Ulqinit pasiqë pothuaj ajo është zhdukur krejtësisht.

Duke u ndërlidh në problematikën e njejtë drejtori i muzeut arkeologjik të Ulqinit, Gazmend Kovaçi bëri një shpjegim të thukët rreth ngjashmërive të veshjeve ilire nga antikiteti dhe veshja popullore e trevës së Ulqinit. Duke shpjeguar dominimin e ngjyrës së bardhë në veshjen tonë kombëtare dhe duke pasë parasysh vështirësinë e mirëmbajtjes së këtyre rrobave në kushtet e atëhershme bën që të vihet në konkludim se te populli ynë ka ekzistuar edhe vetëdije e lartë për higjienën personale gjë që dëshmohet me bardhësinë e rrobave. Kontinuitet në trashëgimisë ilire paraqet edhe këmisha e bardhë e që lidhet me dalmatikën e njohur ilire këmishë të cilën e kishte përvetësuar edhe ushtria romake.

Se Ulqini me rrethinë është një trevë shumë e pasur me veshje kombëtare dëshmojnë se nga kjo trevë identifikojmë 6 lloje veshjesh së femrave: ulqinake qytetare, të Anës së Malit, të Krajës poshtë, Krajës së epërme – Shestanit, Malësores me xhubletë, bregacores. Duke ditë se veshja për femrat e statuseve të ndryshme shoqërore ndryshonin këtu ndajmë edhe nëngrupe tjera si ato të vajzave, nuseve dhe të moshuarave e që nga 6 lloje kryesore nëse i shtojmë secilës nga 3 nëngupe atëherë arrijmë në numrin 18 veshjesh kombëtare shqiptare të trevës së Ulqinit.

Për veshjen e nuses ulqinake foli Munib Abazi i cili për ekspozim solli jelekun e qëndisur me arë si dhe hillallykun, kapele e nuseve e qëndisur në arë dhe stolisur me florinj dhe që ka një vlerë shumë të lartë monetare, e që në pajën e nusërisë e kishte sjellë nëna e tij para më shumë se 70 viteve. Familja e Munib Abazit si familje e vjetër ulqinake është e njohur edhe me ruajtjen e traditës pasiqë babai i Munibit, i ndjeri Rexhep Abazi ka qenë njeri ahengu dhe vallje dhe siç thotë Munibi në kohën e monizmit ai e kishte të hapur dosjen nga shërbimi sekret por që kjo Rexhepin kurrë nuk e kishte brengosur dhe gjithmonë kishte vazhduar me avashin e tij me vallen dhe veshjen kombëtare.

Për veshjen e femrës së Anës së Malit një prezantim bëri Luljeta Avdiu Cura e cila për këtë rast edhe ishte veshur në veshjen tradicionale anamalase kurse më gjerësisht për disa karakteristika dhe lidhshmërinë e kësaj veshje me disa elemente nga lashtësia solli dhe plotësoi prezantimin e Luljetës, Gazmend Kovaçi. Luljeta tha: Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese të shumë elementëve, që vijnë nga lashtësia dhe nga koha e mesme, por janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve.
Veshjet tradicionale vishen për të shfaqur identitetin kombëtar apo kulturor. Ato përfaqësojnë herë një komb të tërë, e herë një zonë të vogël rajonale nëpër periudha kohore. Kostumet tradicionale janë po aq të ndryshme nëpër botë, sa janë dhe vetë njerëzit që i bartin ato.

Kostumografia apo veshja e një populli gjithmonë është trajtuar si elementi kryesor i kulturës shpirtërore e asaj materiale të një përkatësie etnike. Po ashtu, veshja e një populli është edhe rezultat i një procesi të zhvillimit, transformimit, evoluimit dhe përsosjes gjatëshekujve.

Mbrëmja do ishte e mangët pa veshjen e Krajës një prezantim të të cilës e bëri Ali Gjeçbritaj i cili edhe solli disa anekdota dhe ngjarje nga treva e Krajës. Për shkaqe objektive nuk ishte prezente personi që ishte paraparë të flasë për veshjen e malësores dhe shestaneshës por që të panishmit përmes fotografive i shkëmbyen dhe ndanë mendimet rreth këtyre veshjeve.

Se siç u potencua në fillim të tekstit problematika e veshjes së mashkullit ulqinak a ishte fustanella apo ndonjë lloj veshje tjetër për të pranishmit më hollësisht foli bashkëqytetari ynë nga Australia, Sami Flamuri. Ai e shpjegoi domethënien, rangun e njerëzve që e kanë mbajt dhe se sa e rëndësishme ka qenë dhe është edhe sot që fustanella të kthehet në prezantimet e veshjes së burrit ulqinak. Duke plotësuar të dhënat që na dha Samiu, Gazmend Kovaçi argumentoi me fakte se gjatë mbledhjes së të dhënave në terren kanë mbërrit deri te fakti se cila ishte ajo familje që për herë të fundit në pajën e nusërisë kishte edhe fustanellë dhe se cili person ishte i fundit që pleqt e mbanin në mend që e kishte mbajtur fustanellën.

Për krijimin e SHKA Zgjimi nga Sukubina para më shumë se 40 vite dhe vështirësitë, peripecitë si dhe presionet që kishin atëbotë na foli Shefqet Luca si dhe tërhoqi vërejtjen se e njejta gjë po na ndodhë edhe sot pasiqë para 10 vitesh në Ulqin dhe rrethinë kishin vepruar 4 SHKA kurse sot asnjë.

Regjisorja Edina Mustafiqi përshëndeti të pranishmit dhe për ekspozim kishte sjellë disa pjesë nga veshja kombëtare ulqinake. Për domosdoshmërinë e mbajtjes së mbledhjeve të tilla si dhë për përvojën e qëndisjes së këmishave dhe veshjes kombëtare të Hafize Pekut, foli Xhenana Bibeziqi e cila solli detaje nga puna e gjyshes së saj si dhe na prezantoi eksperiencën e punës në përgatitjen e librit me receta nga kuzhina tradicionale ulqinake.

Se me një takim të tillë nuk mund të preket e gjithë problematika e cila përcjell veshjen popullore të trevës së Ulqinit të pranishmit u pajtuan që në takimet e ardhëshme secilës veshje kombëtare nga treva e Ulqinit t’i kushtohet nga një mbrëmje e veçantë. Por, nga takimi doli edhe apeli që institucionet kompetente duhet reaguar shumë më fuqishëm dhe të jenë më vigjilente ndaj problematikës së parashturuar. Andaj edhe duhet formuar grupe punue të cilat do duhej të merren me studimin veshjeve popullore të kësaj treve, pasurimin e Muzeut etnologjik me të gjitha veshjet e kësaj treve, pastaj edhe me sende etnologjike nga jeta e përditëshme, të botohen studimet e bëra si dhe katallogje me fotografi kualitative me pjesë nga jeta tradicionale e Ulqinit dhe rrethinës.