Kuzhina e Ulqinit: DËSHMI E JETËS KULTURORE NË KËTË HAPËSIRË

“Zotërinj, nëse ju nevojitet tradita, duhet ta fitoni atë me shumë përpjekje”, thoshte T.S. Eliot.

Në të vërtetë, duhet shumë përpjekje, vullnet dhe njohuri, dhe mbi të gjitha dashuri, për të trashëguar traditën e mrekullueshme gastronomike të Ulqinit. Sepse e gjithë bukuria, kompleksiteti dhe larmia e natyrës, qytetërimet dhe kulturat gjetën pasqyrimin dhe shprehjen e tyre më interesante në gatimet e Ulqinit.

Librat rreth kuzhinës tradicionale të Ulqinit regjistrojnë mbi 300 receta nga trashëgimia gastronomike e këtij qyteti. Dhe të gjitha ato flasin jo vetëm për aftësitë gastronomike të banorëve të Ulqinit, por përmbajnë edhe një konotacion të veçantë artistik.

Magjia, sharmet dhe e kaluara e Ulqinit shpesh ndihen më mirë përmes kuzhinës së tij sesa duke lexuar ose duke dëgjuar për të kaluarën e lavdishme të këtij qyteti që shtrihet në 25 shekuj. Dhe mbi të gjitha, ato dëshmojnë për kulturën e jetesës dhe trashëgiminë shpirtërore në këtë zonë të bukur. Një gjë e tillë, për shembull, mund të përjetohet më së miri edhe sot në Ulqin kur festohen adetet dhe festat popullore, dhe veçanërisht në dasmat e Ulqinit. Rregull është që asgjë nuk mbetet në pjata kur mysafirëve u shërbehen gatime dhe ushqime të shijshme tradicionale.

Së bashku me mikpritjen dhe bukurinë natyrore të Ulqinit, gastronomia mund të jetë komponenti më i rëndësishëm i ofertës turistike të Ulqinit. Rruga drejt zemrave të mysafirëve shpesh kalon nëpër stomakun e tyre.

Raporti i Organizatës Botërore të Turizmit (OBT) mbi gastroturizmin tregon se pothuajse 90 përqind e destinacioneve turistike e konsiderojnë gastronominë si një element strategjik në përcaktimin e imazhit dhe markës së tyre.

Kjo është arsyeja pse ushqimi tradicional nga Ulqini është shumë më tepër sesa thjesht evokimi i kujtimeve të momenteve të mira të fëmijërisë. Është i nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen tonë.

Aktivistja e Ulqinit, Hadixha Gjoni, beson se mbrojtja dhe ruajtja e kuzhinës së Ulqinit duhet të vihet në të njëjtin nivel me çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. “Kjo na bën të veçantë dhe specifikë jo vetëm brenda Malit të Zi, por edhe të rajonit”, thotë ajo, duke shtuar se ky identitet gastronomik duhet t’u kalohet edhe të rinjve.

Prandaj, siç vëren zonja Gjoni, është e nevojshme të lidhet kultura, identiteti, tradita dhe gastronomia e Ulqinit.

Një gjë e tillë është logjike në qytetin e diellit dhe kripës. Sepse Ulqini është vendi me më shumë orë dielli në Mesdhe, një qytet që ka një Kripore ku folezojnë mbi 250 lloje zogjsh.

Dhe të gjitha miqësitë tradicionalisht fillojnë me bukë dhe kripë. Kristalet e kripës prodhohen këtu.

 

Ky tekst u krijua në kuadër të projektit “Shijet e Ulqinit për mirëkuptim më të mirë”, për të cilin u siguruan fonde përmes Programit “Së bashku për të mirën e përbashkët” – “Forcimi i besimit të qytetarëve në institucione dhe ndërtimi i komuniteteve rezistente”, i cili zbatohet nga UNDP, UNICEF dhe UNESCO, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi. Mbështetja për OJQ-të dhe grupet joformale për zbatimin e iniciativave ofrohet nga “Juventas”. Programi financohet nga Fondi i Ndërtimit të Paqes i OKB-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi