Anëtari i Këshillit komunal të PDS-së Shefkija-Keko Lamoviq ka akuzuar kryetarin e këtij organi Loro Nrekiq se është i lidhur me mafinë e ndërtimit dhe që gjatë mandatit në krye të PDS-së në Ulqin është pasuruar shumë.
“Këtë nuk mund ta arrinte me një pagë. I gjithë Ulqini e dinë se ka mundësuar kyçjet për rrymë për një numër të madh të objekteve që janë ndërtuar pa leje”, tha Lamoviq për “Dan”.
Ai akuzoi Nrekiqin se i ndan njerëzit sipas fesë. “Ka punësuar të gjithë të vetët dhe të gjithë katolikët. Le ti tregojnë opinionit sa Malazez dhe Shqiptarë mysliman ka punësuar prej momentit kur është bërë drejtor i Elektrodistribucionit”, shtoi Lamoviq duke thënë se edhe shumë anëtarë të PDS-së janë të pakënaqur me gjendjen në këshillin e partisë në Ulqin.
Drejtori politik i PDS-së Tarzan Millosheviq ka thënë se akuzat në mes anëtarëve të kësaj parti janë thënë në baza personale. “Jam i sigurt se çdo funksionar i joni ka mjaftueshëm argumente që të mbrohet nga ato”, tha ai për “Dan”.