Shkëlqesia e Juaj Ambasadore Sue K. Brown,
URIME TË PËRZEMËRTA ME RASTIN E 4 KORRIKUT – DITËS SË PAVARËSISË SË SHBA!
Me anë të kësaj letre urimi, në emër të anëtarëve dhe udhëheqësisë së Lidhjes Demokratike në Mal të Zi / Democratic League in Montenegro, partisë së parë politike të shqiptarëve në trevat e veta shekullore, sot në Malin e Zi (e formuar më 09 shtator 1990, në Tuz – në Malësi) ju urojmë 4 Korrikun – Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve.
Më 4 korrik 1776, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, që shpalli pavarësinë e 13 kolonive të mbajtura nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi kooperativ.[4] Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për pavarësi. Kuvendi i Filadelfisë përpiloi Kushtetutën e tashme të Shteteve të Bashkuara më 17 shtator 1787; miratimi i saj në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791 dhe u bë shembull për lirinë e popujve të robëruar.
Shkëlqesia e Juaj Ambasadore, më lejoni që me rastin e këtij teksti urimi të citoj a parafrazoj një nga frazat e Deklaratës së Pavarësisë: Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë: JETA, LIRIA DHE MUNDËSIA PËR TË NDJEKUR SUKSESIN DHE LUMTURINË. Konstatimi dhe mesazhi shumë i qartë, se Zoti dhe jo qeveria, të gjithë njerëzve u ka falë të drejtat themelore dhe të pamohueshme dhe se qeveritë formohen prej tyre me të vetmin qëllim për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Mesazh që nuk do të venitet kurrë deri sa të ekzistojnë shtetet, deri sa të ekzistojë shoqëria njerëzore.
Mesazh aktual edhe për Malin e Zi, fatkeqësisht edhe për të drejtat e shqiptarëve, që jetojnë në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, të drejtat që po na cenohen në mënyrë të vazhdueshme, varësisht prej situatave e rrethanave, herë në mënyrë represive e herë në forma “të plishta a të pambukta” e perfide, që në ato ish-Jugosllavi e deri edhe sot në Malin e Zi të pavarur. Në rastin konkret ironia apo fatkeqësia më e madhe është se shqiptarët në Referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, më 21 maj 2006, patën pothuaj rolin vendimtar. Ndërsa LD në MZ, si subjekti politik autentik i shqiptarëve në Malin e Zi, ishte subjekt i posaçëm, subjekt i Referendumit në vete, subjekti i tretë, në opsionin e Referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, por me kërkesa konkrete, dhe, në vend që të drejtat themelore e të tjera të avancohen, ne na i mohuan, na i morën me forcën e gishtërinjve me ligj e ligje diskriminuese në Kuvendin e Malit të Zi, madje edhe të drejtat e arritura…!?
Edhe një herë Urime 238-vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë!
Shkëlqesia e Juaj Ambasadore Brown, Ju lusim që urimet dhe falënderimet tona t’ju përcillni: Shtëpisë së Bardhë, Kryetarit Barak Obama, Kongresit, Senatit dhe gjithë qytetarëve të SHBA-ve.
Ju uroj shëndet e suksese në jetë dhe në punë.
Përzemërsisht,
Mehmet BARDHI, kryetar i LD në MZ