LD në MZ – reagim: Për incidentin në Podgoricë kundër filmit “Lejleku” të regjisorit Isa Qosja

Lidhja Demokratike në Mal të Zi shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për ndërprerjen e shfaqjes së filmit “Lejleku” në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Xhada” në Podgoricë, për shkak të faktit se filmi ishte në gjuhën shqipe.

Ky veprim është një shfaqje e hapur e nacionalizmit antishqiptar dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Mal të Zi, ku gjuha shqipe ka statusin e gjuhës zyrtare. Mohimi i kulturës dhe i artit në gjuhën shqipe është mohim i vetë identitetit tonë kombëtar dhe cenon themelet e një shoqërie demokratike e multietnike.

Ne u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë me seriozitet, duke ndëshkuar organizatorët e këtij incidenti dhe duke garantuar që gjuha dhe kultura shqipe të respektohen pa kompromis. Po ashtu, kërkojmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të ndjekin nga afër këtë rast dhe të sigurojnë që standardet demokratike të mbrohen në praktikë.

Shqiptarët në Mal të Zi kanë dhënë kontribut të çmuar për kulturën dhe jetën shoqërore të vendit. Përpjekjet për t’i heshtur dhe për t’i margjinalizuar nuk do të kenë sukses. Lidhja Demokratike do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të identitetit, kulturës dhe gjuhës shqipe si pjesë e pandashme e shoqërisë.

Kryetar,

Mr. Saubih Mehmeti, ing. i dipl. i tek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi