LD në MZ: ULQINI NUK MUND TË JETË VENDI KU MENDIMI I SHQIPTARËVE KËRKOHET VETËM PËR FORMALITET

Zgjedhja e drejtorit të Shkollës së Mesme të Përzier “Vllazërim Bashkim” në Ulqin dhe shkollave tjera ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipeështë një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat gjuhësore, përfaqësimin institucional dhe respektimin e komunitetit shqiptar në një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore të Ulqinit.

Ministria e Arsimit ka zhvilluar procedurën për zgjedhjen e drejtuesit të kësaj shkolle, ku në garë kanë qenë katër kandidatë. Por ajo që kërkon përgjigje publike është mënyra se si është zhvilluar procesi dhe pesha që i është dhënë mendimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Nëse Këshilli Kombëtar, si institucioni përfaqësues i shqiptarëve, jep mendimin e tij dhe në fund përzgjidhet kandidati i kundërt me atë mendim, atëherë kemi të drejtë të pyesim:

Çfarë vlere ka konsultimi me Këshillin Kombëtar nëse mendimi i tij injorohet sistematikisht?

Edhe më shqetësues është fakti se komisioni prej tre anëtarësh i caktuar nga Ministri i Arsimit nuk përmban asnjë shqiptar, ndërkohë që bëhet fjalë për drejtimin e një shkolle ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Dhe këtu nuk po flasim për një detaj formal. Nëse njohja e gjuhës shqipe është kusht për drejtuesin e kësaj shkolle, atëherë si mund të vlerësohet në mënyrë serioze dhe e besueshme ky kriter nga një komision ku nuk ka asnjë shqiptar?

Kjo është një pyetje që Ministria duhet t’i përgjigjet shqiptarëve në Mal të Zi.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi nuk është pjesë e kësaj Qeverie. Ishim i vetmi subjekt politik shqiptar që nuk patëm besim tek kjo shumicë parlamentare dhe që në momentin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë paralajmëruam se pjesëmarrja e subjekteve shqiptare në pushtet, pa mekanizma të qartë dhe të garantuar për mbrojtjen e interesave shqiptare, nuk mund të shitet si sukses politik në vetvete.

Sot, fatkeqësisht, shumëçka nga ajo që kemi thënë atëherë po merr formë para syve tanë.

Sot në këtë shumicë parlamentare janë pothuajse të gjitha subjektet tjera politike shqiptare. Shqiptarët kanë përfaqësim në nivelet më të larta të pushtetit: kemi zëvendëskryeministër, ministra dhe deputetë shqiptarë, përfshirë edhe përgjegjësi në fusha të rëndësishme të administratës shtetërore dhe politikave për pakicat.

Por pyetja që shtrohet sot është shumë e thjeshtë:

Çfarë po marrin shqiptarët nga ky përfaqësim nëse, në një nga çështjet më elementare për komunitetin shqiptar – arsimi në gjuhën shqipe – mendimi i institucionit përfaqësues të shqiptarëve shpërfillet? 

Nuk mjafton të kesh shqiptarë në Qeveri.
Duhet të kesh shqiptarë që kanë fuqi reale për të mbrojtur interesat e shqiptarëve.

Nuk mjafton të kesh poste.
Duhet të kesh rezultate. 

Nuk mjafton të thuash se shqiptarët janë pjesë e pushtetit.
Duhet të dëshmosh se zëri i tyre dëgjohet dhe respektohet.

Sepse pikërisht kjo ishte ajo që ne paralajmëruam në fillim: përfaqësimi pa garanci politike dhe institucionale mund të shndërrohet në dekor të pushtetit, ndërsa vendimet reale vazhdojnë të merren pa marrë parasysh interesin e komunitetit shqiptar.

Dhe rasti i Shkollës së Mesme në Ulqin është një shembull konkret që duhet të marrë përgjigje.

Nëse të gjithë këta përfaqësues shqiptarë në Qeveri dhe në shumicën parlamentare nuk mund të sigurojnë që në një shkollë shqipe të respektohet së paku mendimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar (edhe këtu dua të theksoj faktin se një pjesë e përfaqësuesëve shqiptarë e kanë injoruar në tërësi Këshillin Kombëtar duke bojkotuar procesin zgjedhor, me ç’rast përfaqësimi është i pjesëshëm) dhe të ketë një proces transparent e të besueshëm, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të pyesin:

Për çfarë shërben gjithë kjo fuqi politike që na thuhet se e kemi sot?

Lidhja Demokratike nuk e ngre këtë çështje për interesa partiake. E ngre sepse pikërisht këtë kemi paralajmëruar kur të tjerët vendosën të bëhen pjesë e kësaj shumice.

Sot faktet po flasin më fort se deklaratat politike.

Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respekt.
Nuk kërkojnë poste. Kërkojnë të drejta.
Nuk kërkojnë që kandidati shqiptar të zgjidhet vetëm pse është shqiptar. Kërkojnë një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë.
 

Është e pakuptimtë që zëvendëskryeministri dhe ministër në këtë Qeveri t’u kërkojë llogari partive shqiptare që qeverisin në Ulqin për një vendim që është marrë nga Ministria e Arsimit, pra nga pushteti qendror ku ai vetë është pjesë dhe mban një nga postet më të larta. Nëse ky vendim është, siç e ka cilësuar vetë zëvendëskryeministri, “provokim institucional”, atëherë përgjegjësia e parë për ta kundërshtuar dhe parandaluar atë duhet kërkuar brenda Qeverisë ku ai ushtron pushtetin, jo t’u faturohet partive që nuk kanë asnjë kompetencë për emërimin e drejtorit. 

Dhe mbi të gjitha:

Nuk pranojmë që shqiptarët të jenë të mjaftueshëm për të votuar një Qeveri, por të pamjaftueshëm për t’u dëgjuar kur ajo Qeveri merr vendime që prekin drejtpërdrejt të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. 

Mjaft me përfaqësim vetëm në letër.
Mjaft me konsultime vetëm për formalitet.
Mjaft me vendime për shqiptarët
pa shqiptarët. 

Rasti i Shkollës së Mesme në Ulqin duhet të jetë një pikë kthese dhe jo edhe një rast tjetër që do të harrohet pas përfundimit të konkursit.

 

KRYETARI,

Mr.Saubih Mehmeti, ing. i dipl. i tek.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Ulqini dhe Tivari: Një qytet në dy lokacione

Gjeografia dhe historia, e njëjta plastikë e tokës, të njëjtat dhimbje, Mesdheu dhe ëndrrat e mëdha, gjithmonë i kanë lidhur Ulqinin dhe Tivarin. Nëse kësaj lidhjeje i shtohet edhe qëndrueshmëria kohore, e gjithë kjo së