Z-nj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës
- Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës
- Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
E nderuaara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, i nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufca, i nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, angazhimi permanent i institucioneve të Kosovës, sidomos gjatë qeverisjes së fundit, në përmbushjen e kapitujve me qëllim të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Europian, më në fund po jep rezultatatet e pritura. Votimi në Komitetin politik të Këshillit të Europës, me 31 vota pro, 4 kundër dhe një të përmbajtur, tregon qartë se Kosova ka bërë hapa kruciale drejtë anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës e më pas në Bashkimin Europian.
Njëherit ky është një lajm shumë i mirëpritur, e që Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe pjesa dërmuese e shqiptarëve në trojet e veta etnike sot në Malin e Zi me entuziazëm të lartë e kanë pritur këtë moment, duke qenë mirënjohës ndaj shteteve anëtare të Komisionit të Asamblesë Parlamentare të KE për Çështje Politike dhe Demokraci të cilat mbështeten Raportin – draft opinionin e Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Gjithashtu shprehim indinjatën e thellë dhe dënojmë përfaqësuesën e Malit të Zi e cila me votën e saj kundër, bëri këtë veprim të turpshëm duke tentuar ta orientojë Malin e Zi në ujërat e turbullta për interesat Serbo – Ruse, dhe për ta shmangur Malin e Zi drejtë integrimit në BE.
Në emër të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, mbështetësve, anëtarësisë së saj dhe në emrin tim personal uroj, me këtë rast, Ju dhe popullin e Kosovës për suksesin e arritur drejtë integrimeve euroatlantike.
Me respekt dhe vëllazërisht,
KRYETAR,
Mr. Saubih Mehmeti, ing. idipl. itek.