Parashikohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ulqin: tek ne është bërë viteve të fundit e zakonshme të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme! Deklaratat e protagonistëve të skenës politike tregojnë se nuk janë të kënaqur me punën e njeri tjetrit dhe madje konsiderojnë fer që mandatet t‘iu kthehen qytetarëve për të (ri)vendosur kompozimin e ri në skenën politike.
A mund të presim diçka të re nga zgjedhjet e jashtëzakonshme? Padyshim se jo.
Elita jonë politike do i bënte nder popullit nëse në mënyre kolektive do jepte dorëheqje nga politikbërja. Do të ishte ky akti me patriotik dhe civil: aktorët politike kanë dëshmuar nivele të jashtëzakonshme të paaftësisë për të (bashkë)punuar dhe lehtësisë se papërballueshme për të mashtruar.
Nëse i referohemi pushtetit te mëparshëm, vërejmë se nuk pretendonte tek profesionalizmi, ekspertiza, aftësia: haptas dëshmonte rolin e vet të veglës në duart e Podgoricës. Asgjë me tepër, asgjë me pak.
Ne anën tjetër, projekti për ndryshime lançuar nga Forca, ngriti identitetin e vet mbi idenë e rezistencës ndaj vullnetit të papastër dhe te egër te Podgoricës ndaj perlave te bukurisë së Ulqinit duke u shndërrua për pak kohë në zëvendësin e asaj që kritikonin me vite tek UDSH-ja, saqë vendimet lidhur me vetëqeverisjen lokale duhet tani te aprovohen në Ministri te financave!?
Me pushtetin e ri të gjithë prisnin risi në çdo aspekt të veprimit. Mirëpo, pas retorikes së kulluar për ekspertet dhe plan projektet e ndryshme (Proagro, pilot-projekti për Pinjesh, hapjes se fabrikave ne Anë të Malit, revitalizimit te pikave te zeza ekologjike, definimit te prioriteteve ne zhvillimin e turizmit te vendit etj.), rritjen e punësimit nëpërmes prurjes se investimeve te shëndosha, mbeti vetëm pluhuri i premtimeve te mëdha.
Pas stolisjes në pushtet, ne muajt e para, u vëren shenjat e zhgënjimit i cili do vij duke u rritur. Pushtetarët janë pothuaj te padukshëm për qytetarin e thjeshtë, gjithnjë më pak te zëshëm për nevojat e tij te përditshme.
Ne mënyrë simbolike veprimtarinë e pushtetit aktual mund ta prezantojmë nëpërmes atmosferës ne Plazh te Vogël këtë verë: në vend të serenatave, muzikës së lehtë qytetare (siç u premtua!), ende jemi të rrahur nga tingujt dhe meloditë e ashpra të turbofolkut të përcjellura me ikonografinë turpruese.
Ulqini është pjesë e Mediteranit gjeografikisht, por jo në kontekstin kulturore.
Ne këtë linje, premtimet e pushtetit aktual, i ngjajnë ulërimave të turbo folkut i cili lakuriqëson dhe banalizon esencën e artit.
Pushteti vendor ka arritë të shënoi një ndryshim thelbësore: humbjen e shpresës tek populli se ndryshimet pozitive janë të mundshme dhe afatgjatë ka cunguar forte vullnetin e te rinjve për përfshirje në procese politike.
P.S. Si rrugëdalje nga kriza kurente, pushteti vendore futet në kredi: kopjon veprimet e ”inteligjencës së Podgoricës” që ingerencat e shtetit i ka varros ne kasafortat e korporatave bankiere që do kontrollojnë shtetin në të ardhmen e afërt dhe gjeneratat e reja këtë do ta ndiejnë ne lëkuren e vet. Lëkura e qenit do thoshte shkrimtari Fatos Kongolli. Një prej mësimeve elementare të politikës fiskale është që mos të merrni kredi për plotësimin e nevojave rrjedhëse. Me këtë veprim dëshmohet paaftësia në menaxhim dhe mungesa inovimit në gjetjen e rrugëve për tejkalimin e krizës financiare te Komunës.
Zgjedhjet pa tjetër do te vijnë, para kohës ose në kohë, por koha po humbet prej zgjedhjeve në zgjedhje. Çka do të jenë ofertat zgjedhore? Akuzat apo fyerjet? Sepse libri i rritjeve mbetet ende i zbrazët dhe askush nga partitë nuk ka referenca në të cilat mund të mbështetet, se rezultatet pak a shumë me dallime te vogla bazohen tek rritja e papunësisë ose hiperpunësimi në organe dhe ndërmarrje publike.
Vështrim i lexuesit të portalit UL-info