Libraria Arti: SHPALLEN FITUESIT E KONKURSIT TË POEZISË

Libraria ArtiKonkursi i poezisë organizuar nga Shtëpia botuese DITI&OLI (Libraria ARTI) nga Ulqini u mbyll me sukses. Edhe pse filtri i vendosur tematik e që këtë vit temë ishte MËRGIMI në adresë të redaksisë mbërritën 30 poezi me shtrirje gjeografike nga më e ndryshmja mbarëshqiptare.
Komisioni në përbërje Liridona Sinishtaj (studiuese e letërsisë), Jaho Kollari (poet) dhe Gazmend Çitaku (botues) në bazë të pikëve që fituan poezitë shpallin këto tri poezi fituese:

  1. Gjëma e ikjes – Argëzon Sulejmani (Ulqin)
  2. Dilemë – Greta Bandilli (Korçë)
  3.  Këpucë për larg – Arjan Kallco (Korçë)                                                                                                      Në vazhdim ju sjellim poezitë fituese

Argëzon Sulejmani – Ulqin
GJËMA E IKJES

Përse ika, pyet shkëmbin
Burrë
Prej asaj ditë i thonë
Gurë

Përse u largova, pyet lumin
Grua
Prej të korbës natë lakohet
Përrua

Përse theqafa, pyet detin
Djalë
Prej të errtit ag u bë
Moçal

Përse u zhbëra, pyet qiellin
Vajzë
Prëj të çulltit diell i mbet
Varr

Greta Bandilli – Korçë
DILEMË

Në cilën Itakë të kthehem?
Atje nuk më njeh më njeri.
Do të endem përkrah të gjallëve,
si një i vdekur , i trishtë njeri

Ç’kërkoj në tokën që lashë pas?
Me vete kam çdo dhimbje
Çdo legjendë,çdo baladë
Dhe testamentin që s’e shkroi njeri.

Cila e vërtetë më kthen pas?
Në shtëpinë e braktisur përgjon vdekja
Lavdia ishte i fundmi borxh
Që nuk u pagua mbi rrënoja.

Arjan Kallço – Korçë
KËPUCË PËR LARG

I vesha një palë këpucë të reja
Të blera enkas tek Qafa e Pazarit
Për të ikur larg prej Ulqinit tim
Të dashur. Një palë sy të shehur
Pas gërmave të një emri rruge
Më pa shtrembër e me zë të mekur
Më tha: Ku po shkon o shtegtar i marrë,
A nuk të mjafton eksodi ynë biblik
Shekuj më parë? Kokën e ktheva pas
E një premtim i bëra Kastrioti : edhe
Në s’u kthefsha më, dije o prijësi ynë,
Se prapë do mbetem shqiptar.
Këmba tek këpucët i futa dhe
Tek bregu i përshëndeta me dhimbje
Të gjitha horizontet frymëdhënëse:
Ti, qyteti i lashtë, je djepi im që më linde
Je zoti vetë që më dhe bekimin
Sapo dola në dritë duke qarë.

Ju njoftojmë se të gjitha poezitë do të botohen në një përmbledhje të veçantë.
Vlen të përmendet se ky ka qenë viti i katërt me radhë i Konkursit dhe njëherit ky do të jetë edhe libri i katërt me poezi dalë nga Konkursi i organizuar nga Libraria ARTI në Ulqin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi

Intervista e parë e kryetarit Omer Bajraktari: GJENDJA NË KOMUNË, VIZIONI I ZHVILLIMIT, PLANET…