Në konkursin e poezisë të organizuar nga Libraria ARTI sipas organizatorëve, kanë arritur mbi 50 punime në temën e këtij konkursi Ulqini.
Juria e përbërë nga Jaho Kollari (shkrimtar), Argëzon Sulejmani (poet) si dhe Gazmend Çitaku (botues) kanë vendos se poezitë më të mira të shpallen poezitë e autorëve: Afërdita Salihu- Prishtinë, Arjan Th. Kallço – Korçë dhe Nexhat Halimi – Prishtinë. “Të gjitha poezitë do të botohen në një përmbledhje të veçantë deri në fund të vitit.
Vlen të përmendet se ky ka qenë viti i tretë me radhë e Konkursit dhe njëherit ky do të jetë edhe libri i tretë me poezi dalë nga Konkursi i organizuar nga Libraria ARTI në Ulqin”.
Më poshtë po sjellim edhe poezitë fituese:
Afërdita Salihu – Prishtinë
ULQINI
A keni dëgjuar për Adamin e dytë
Që këputi degën e ullirit?
E krasiti, ndërtoi velanije
Në pyje të pishave frymoi mushkëritë.
Ulqin, mbi valët e tua të detit
20 shekuj rresht, shikojnë lart mbi ty
E ti, si zotëri i rëndë, duke ia kaluar Zonjës së Lurdës
Nikoqir i mirë, nuk shtron tryezë pa fiq e ullinj.
Fisi Taulant hijeshon lart mbi shkrepa
Zili të kanë gjurmë sllave, bizantine, romake…
Gjumuar janë pafundësisht në thellësi detesh
Kalaja si plis mali me borë, është rojë varkash.
Ti Ulqin, je me fat, me në ballë Gjirin e Valdanosit
Dëgjova tek këndojnë burrat peshkatarë e gratë shamibardha
Neve na vesh supeve me valë deti, neve bija Kastrioti
Bekimi ra mbi ty shqipërisht, nga rrezet diellrralla.
Perlë kaltërore, nga qielli zbritur margaritar
Dhe thellësia mbanë këtë emër, lashtësi arbërore
E hëna që ka sy, vetëm për ty, ty për të parë
Se me bukurinë që ke, piramidat nga gjumi i zgjove.
Një poemë e pambaruar
ULQIN!
Arjan Th. Kallço – Korçë
GJURMË
Gjurmë të panumërta
mbi rërën e lagur nga vjeshta
që ende nuk janë fshirë. Askush
nuk ia ka më ngenë plazheve
të braktisura ku tundimet e pashpirt
s’tërheqin më askënd.
Era duket se ka mbetur
diku e panisur, as deti dot
nuk i paska larë.
Dikur kam ecur edhe unë
mbi këtë rërë, kushedi
sa të tilla koha i ka fshirë!
Memece s’shqiptojnë më asnjë fjalë,
vetëm me kujtimet flasin, fort mirë
e dinë se në vargje jetojnë gjallë.
Të dy ne një ditë, Unë dhe Ti,
rruga në Ulqin do na sjellë, dakord
do të jenë të tjera gjurmë,
dy shpirtra në një, jo s’thjeshtohen,
shenjën e bëjnë më të thellë,
shumë…shumë…
Nexhat Halimi – Prishtinë
QYTET NGA GURI
(me rastin e tërmetit të 1979-s)
Valë të egra përplasen Kalasë, secilit mur
Kullat fluturojnë nga vetja, gur më gur
Guacat mbetur Ranës, pa agun-margaritar,
Toka shkundullon, qielli lart krejt i çarë.
Vdes në secilën rreze, shpirti mijëvjeçar
Era rrah dyert, dritaret, rraqet shpërndarë.
Gjunjëzohet Qyteti i gurit, një gjeth, një letër,
Me ngjarjet, datat, gjurmët e etjen e vjetër
Nënat, të prishura fare, me shpirt të vrarë,
Me fëmijë në gji bredhin Ulqinit mijëvjeçar.
“Mëmë, ç’ka ndodhur, ç’është kjo shtrëngatë”,
-qanë vogëlushja me kordele në flokë të gjatë
“Mëmë, ku ngeli fiku i vjetër, udha e shtëpisë,
Ku ngeli, mëmë, shtëpia e kumrisë!?”
Valë të egra përplasen Kalasë, secilit mur
Kullat fluturojnë nga vetvetja, gur më gur!
(KultPlus.com)