Ditën e shtunë, më 25 prill 2015, në sallën e teatrit ‘’Istref Begolli’’ në Pejë, me një organizim të shkëlqyeshëm, në sallën përplot me dashamirë të librit, u përurua libri i autorit Haxhi Lajçi ‘’SHKOLLA NË DACAJ DHE NË BUXHOV (MALËSIA E ROZHAJES) 1943-2013’’.
Autori, Haxhi Lajçi, në këtë libër në mënyrë kronologjike paraqet rrugëtimin e shkollës në Malësinë e Rozhajës, të shkollës në gjuhën shqipe, historisë dhe traditës kombëtare, me një paraqitje të plotë profili të mësuesve dhe arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve, angazhimin dhe përkushtimin e tyre, të cilët, megjithëse në kushte dhe rrethana aspak të favorshme, arritën që të shkollojnë gjenerata të tëra, madje mjaft prej tyre të kthehen mu në këtë shkollë, tashmë si kuadro të kualifikuara me dije e shkollim përkatës. Padyshim është një histori e kësaj ane, një histori suksesi.
Për librin folen: kryeredaktori, Valdet Hysenaj, recenzenti i parë z.Demë Mulliqi, recenzenti i dytë z.Mr.Shkodran Imeraj, lektori Mustafë Lajçi si dhe autori Haxhi Lajçi. Udhëheqëse e programit ishte moderatorja e talentuar dhe studente e viti te katërt, Fakulteti I Psikologjisë në Prishtine, zonjusha Liridona Husaj.
Në fjalën e tij kryeredaktori, V.Hysenaj, ndër të tjera tha: „Të ballafaquar me varfërinë dhe me probleme të tjera jetësore, një pjesë e madhe e popullsisë kanë emigruar. Largimi i një numri të madh të popullsisë aktive nga trevat shqiptare në Mal të Zi dhe shkuarja e tyre në botën e jashtme është bërë problem shqetësues për të gjithë shqiptarët.
Kjo monografi është pa mëdyshje një dëshmi kohe e cila për brezat e ardhshëm doemos ruan të gjallë realen, njerëzoren dhe kombëtaren, libri nderon individët që i kontribuan kauzës sonë kombëtare në forma të ndryshme…
Libri është realiteti i djeshëm dhe i sotëm në arsimin shqip dhe për shqiptarët në Malin e Zi, edhe pse për ne, libri është shqetësues dhe i dhembshëm, megjithatë është udhërrëfyes, lajmës, vrojtues, interpretues i informatave etj., dhe si i tillë kush frymon shqip i merr mendjen dhe i rrëmben shpirtin, por ja që ky realitet është vërtetë i tillë, sepse ky libër në një farë mënyre edhe ka parapërcaktuar gjendjen reale që mban vulën e kohës të cilën po e jetomë edhe autori edhe ne.
Recenzenti i këtij libri, profesori i nderuar e pedagogu me përvojë shumëvjeçare, Demë Mulliqi, për librin e Haxhiut, tha: „Monografia,,Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov (Malësia e Rozhajës 1943-2015),,e autorit Haxhi Lajçi, prezenton një sintezë gjithëpërfshirëse të fushave që kryesisht janë pjesë e një karvani historik pothuajse njëshekullor të Malësisë së Rozhajës, të një territori shqiptar të rrezikuar kombëtarisht. Falë një angazhimi të vullnetshëm që gjithësesi ka kërkuar mund e durim të palodhëshëm, autori na ofroi këtë monografi me të cilën e begatoi histoiografinë e Shqipërisë natyrale e autoktone“
Më tej Mulliqi vazhdoi: „Monografia në fjalë deshmon për një qasje shumë serioze të autorit për kompletimin e saj, e cila mbi të gjitha ka një rëndësi të veçantë mëqe i përkushtohet, krahas shkollës në fshatra, shtrirjes dhe gjendjes në të kaluarën dhe të asaj aktuale të fshatrave të Malësisë së Rozhajës. Edhepse objektivi bosht i kësaj ishte shkolla në Dacaj dhe në Buxhov, autori në kapitullin e parë – Fshatrat shqiptare të Malësisë së Rozhajës, shtrirja dhe pozita e tyre, e zbërthen me përkushtim, jo vetëm shtrirjen dhe poziten gjeografike të atyre fshatrave, por edhe etnogjenezen autoktone shqiptare të popullatës së atyre trevave duke shprehur në mënyrë indirekte edhe dhëmbjen për zbrazjen e shumicës së tyre, qoftë në rrugët e pakthim, në mërgim, diasporë,qoftë në viset e tjera shqiptare. Sipas autorit një brengë gjithëkombëtare është asimilimi kombëtar i një pjese, në kombin boshnjak.“
“Kapitulli që i kushtohet shkollës në Dacaj dhe në Buxhov trajtohet në mënyrë të detajuar duke filluar nga viti 1910 me hapjen e mejtepeve të cilat u shfrytëzuan për edukim fetar edhe nga të rinjtë shqiptar të konfesionit musliman,periudha e shkollës gjatë kohës së Austrisë deri në funksionimin e sajë me plan-programe e tekste shkollore të sjella nga Ministria e Arsimit, ku Ministër në atë kohë ishte Ernest Koloqi (1934-1935), paraqitet si periudhë e shpresës kombëtare të kësaj malësie. Pas mbylljës së shkollave shqipe nga sistemi komunist, menjëherë pas LDB-së, autori përshkruan gjendjen e rëndë të nxënësve shqiptarë për vijimin dhe përvetësimin e njohurive në gjuhën serbe, të cilën gjuhë fëmijët nuk e njihnin fare. Hapjen e sërishme të shkollës shqipe, nga viti shkollor 1967-1968, përkunder rënies së numrit të nxënësëve krahas numrit të banorëve, autori përpiqet për një nxitje optimiste për ndërprerjen e braktisjës së trojeve shekullore dhe fatkeqësisht ndërrimit të etnitetit të këtyre viseve malësore.
Karakteristikë e kësaj monografije është materjalizimi i saj me të dhëna për mësimdhënësit e të gjitha gjeneratave me biografi individuale për secilin.Poashtu nuk kanë mbetur jashtë kësaj biografie as emrat e nxënësve të gjeneratave të tëra.
Monografia është materializuar me një numer të madh fotosh të cilat jo vetem që kanë begatuar librin por ato janë dëshmia më relevante e kësajë mongrafie“, shtoi në mes të tjerave profesor Demë Mulliqi.
Në përurim moren pjesë, z. Mehmet Bardhi, kryetar dhe Saubih Mehmeti, sekretar i Lidhjes Demiokratike në MZ – nga Ulqini. Pastaj ish kryetari i Komunës së Pejës, z. Ali Lajçi, shkrimtari ynë i madh z. Ramiz Kelmendi, Shefqet Kelmendi nga Tirana, Smajl Smaka, publicist e përkthyes nga Prishtina, z. Sali Lajçi nga Rugova, z. Sokol Daci, mësues në pension, banorë të fshatrave: Dacaj, Husaj, Bukel i Poshtëm, Bukel i Epërm, Peshkaj dhe Buxhov, të cilët tashmë disa vjet kanë lëshuar trojet e veta të lindjes dhe po jetojnë në fshatrat: Nabërgjan, Treboviq, Vitomiricë (Arbnesh), Dubovë si edhe në qytetin e Pejës.
Poashtu – ish nxënësit e klasës së parë nga viti shkollor 1945-46, tashmë të moshës së tretë, zotërinjtë: Tahir Rr. Vukli, Qerim U. Lajqi, Ramë P. Daci dhe Sokol S. Daci, nga 47, që ishin në atë kohë, të tjerët nuk janë më të gjallë.
Pati edhe mysafirë të shumtë, dashamirë të librit edhe nga Deçani, Burimi ish Istogu, Klina, Prizreni e qytete të tjera të Kosovës.
Përurimin e përshëndeten: shkrimtari ynë i madh z. Ramiz Këlmendi, z. Mehmet Bardhi si edhe ish mësuesi, tashmë në pension, z. Sokol Daci. U shperblyen me mirënjohje dy nga atdhetarët dhe mësuesit e këtyre dy shkollave, pas vdekjes. I pari që u shpërblye, ishte Abylrrahmin Daci, ish mësues në Dacaj dhe Salih Zekaj, ish mësues ne Buxhov. Mirënjohjet për këta veprimtarë, iu dorëzuan zotërinjtë Rrahman Lajçi (haxhi) dhe Qerim Ukë Lajçi. Këto mirënjohje me lotë në sy dhe mburrje i pranuan familjarët: z. Enver Daci, djali i Abdylrrahimit dhe zonja Luljeta Zekaj, vajza e Sali Zekaj. Autori shprendau falas mbi 100 libra mysafirëve, familjarëve të shumë mësuesve, shokëve të dikurshëm të Gjimnazit ‘’Bedri Pejani’’ dhe shumë mysafirëve te nderuar.
Me këtë rast duhet cekur edhe një gjest human dhe miradashës se dreken për mysafiret e ardhur nga Rozhaja, Prishtina, Tirana dhe Ulqini, e shtroi z. Blerim Krasniqi, afarist i restaurantit „Univers’’, djali i mësuesit të parë shqiptar të këtyre anëve, nga viti 1943, z. Muharrem Sherif Krasniqit, për çka autori do t’i jetë mirënjohës gjatë gjithë jetës.
Në fund duhet shtuar se botimin e këtij libri e mbështeti Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Së shpejti autori do të organizojë perurimin e këtij librit edhe në vendlindje, në Rozhajë.
Mehmet Bardhi