M.Canka: NGA HYRJA E LIBRIT “REPUBLIKA KUSARE E ULQINIT”

Kusaria në Mesdhe është një industri po aq e vjetër sa vet historia e saj. Romakët sulmuan shtetin e mbretëreshës Teuta me pretekstin se ilirët merreshin me kusari.  Historiani më i madh i antikitetit, Tukididi, shkroi se kusarët u përhapën sapo filluan të vendosen lidhjet detare midis vendeve, duke shtuar se “ky aktivitet s’ishte gjë e turpshme dhe bile sillte njëfarë nami të mirë”. Kusarinë e gjejmë edhe te Homeri, Bokaçoja, Servantesi… Poeti gjerman Johan Volfgang fon Gëte, në veprën e tij “Fausti”, shkruan se “lufta, tregtia dhe kusaria janë një trinitet i pandashëm”.

Kusaria është luftë me intensitet të ulët, formë plotësuese e një lufte të madhe, konflikt i lejuar, e bërë e tillë me një shpallje të qartë lufte ose me autorizimin e një personi të rëndësishëm. Është zanat, mënyrë jetese; është më shumë se një mjeshtri e rëndomtë, është art i vërtetë. Punë me leverdi, që shpesh konsiderohej si e ndershme, sepse bëhej me pëlqimin e autoriteteve shtetërore. Ndryshe nga pirateria, që është dhunë në det për llogari të vet.

Në Evropë, deri në shek. XVIII, kusaria ishte profesion si çdo tjetër; çdo njeri, pak a shumë, mund të merrej me këtë profesion pa frikë nga rrënimi i reputacionit. Që të gjithë, të mjerët dhe të fuqishmit, të pasurit dhe të varfrit, qytetet, feudet dhe shtetet, të gjithë ranë pre e rrjetit të kusarisë që ishte e hedhur nëpër ëdo cep të detit.

Me qetësimin e konfliktit zyrtar, kjo rrjetë zgjerohej. “Sado të çuditshme na duken tani këto shënime, kusaria i ka ligjet e veta, rregullat e veta, zakonetet e gjalla dhe të vjetra,” shkruan Fernan Brodel. Sipas këtij historiani brilant francez, pas vitit 1580, kusaria në Mesdhe është shtuar më shumë se kurrë dhe prej atëherë ka mbizotëruar historinë e Mesdheut sipas rregullave të veta. Kulmin e saj në përmasa botërore e arrin mes viteve 1716 dhe 1726. Vetëm gjatë këtyre 11 viteve, 2 400 anije pësuan nga kusarët dhe piratët në mbarë botën, ose nxjerrë një mesatare 218 anije në vit.

Mirëpo, edhe shtetet mbrohen, organizojnë përndjekje të kusarëve, hajdutëve dhe aventurierëve në të gjitha detet, madje u japin edhe goditje të forta. Nganjëherë ndërmarrin veprime të përbashkëta që vijnë si rezultat i pajtimeve dypalëshe ose i marrëveshjeve ndërkombëtare për luftimin e piraterisë.

Vendet ideale për kusarët ishin kryesisht qytetet në cepin e ndonjë shteti të madh. Vend i tillë, gjatë dy nga tre shekujt e gjallërimit nën Perandorinë Osmane, ishte “Republika kusare e Ulqinit”. Shtet i vogël brenda shtetit. Qytet me status të privilegjuar, me strukturë të fortë ushtarake dhe kusarë rebel e të fuqishëm që ia dolën të jenë të zotët e vetes.

“Shumëllojshmëria e aktiviteteve në det dhe organizimi i shkëlqyer që i bënte ulqinakët herë kusarë, herë piratë, herë transportues, tregtarë apo kontrabandistë, ishte baza e përparimit të tyre. Ne s’duhet t’i paramendojmë ata si grupe aventurierësh të udhëhequr vetëm nga rastësia dhe fati, njerëz të pastrehë dhe pa familje, në arrati të përhershme nga drejtësia dhe të destinuar për një rënie fatale”, thotë studiuesi italian Fausto Sartori.

Pra, këtu ndërthuret gjithçka: lavdia dhe banditizmi, pendimi dhe ndërgjegjja e papastër, hakmarrja dhe shpagimi… Ajo luftë e përhershme, endemike dhe këmbëngulëse, me intensitet të ndryshëm, ajo epope kusare ulqinake do të përfundojë në mesin e shek. XVIII. Më pas veprimet e kusarëve ulqinakë u dobësuan në Adriatik dhe gjatë dekadave në vijim, nën flamurin e vet ose atë të Tripolit, ata sulmuan anijet në detin Jon, Tirren dhe Egje, por edhe ishin viktima të kusarëve të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi