Po përfundojmë një projekt të suksesshëm gjatë të cilit vizituam praktikisht të gjitha shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi, biseduam me njerëz të panumërt, bëmë rreth 450 anketa kryesisht me nxënës, xhiruam shumë emisione dhe realizuam një hulumtim .
Mendoj se është gjithmonë mirë kur gazetarët flasin me njëri-tjetrin dhe kur të rinjtë janë me ne. Sepse ne jemi pak, si komuniteti jonë në tërësi. Dhe për këtë arsye duhet të jemi solidarë dhe të ndihmojmë komunitetin tonë të vogël, ose më saktë vetvetes.
Situata në media është pasqyrë e një shoqërie. Jetojmë në një kohë ndryshimesh intensive dhe maksima ime e preferuar është “mendo globalisht, vepro lokalisht”.
Pra, ne duhet të rregullojmë shtëpinë tonë, redaksinë tonë, qytetin tonë, komunitetin tonë dhe nëse mundemi, edhe shtetin. Kjo është arsyeja pse duhet të edukohemi vazhdimisht, të mësojmë, të kërkojmë këshillat më të mira, të inkurajojmë mendimin kritik.
Ky është qëllimi thelbësor i njohurive mediatike: trajnimi i individit për të analizuar, vlerësuar dhe interpretuar në mënyrë të pavarur informacionin, në vend që ta pranojë atë në mënyrë jokritike.
Nuk duhet të humbasim kohë në debate të polarizuara rreth asaj që është informacion “i drejtë” dhe çfarë është informacion “i gabuar”. Kjo na merr kohë dhe energji. Një gjë e tillë inkurajon ndarjet, kufizon kreativitetin dhe zvogëlon tolerancën.
Njohuritë mediatike duhet të na ndihmojnë të kuptojmë se bota nuk është bardh e zi, por përbëhet nga shumë nuanca gri.
Njohuritë mediatike nuk duhet të reduktohen në një aftësi teknike, por duhet të bëhen pjesë integrale e arsimit dhe kulturës sonë, duke na inkurajuar të marrim pjesë aktive në diskursin publik, bazuar në argumente, prova dhe respekt për perspektiva të ndryshme. Kjo është arsyeja pse njohuritë mediatike janë gjithashtu një busull etike që na udhëzon përmes botës komplekse të informacionit. Është e nevojshme që ne të zhvillojmë një vetëdije për paragjykimet tona dhe të jemi të gatshëm të vëmë në pikëpyetje bindjet tona. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë një shoqëri në të cilën mendimi kritik vlerësohet, dallimet respektohen dhe dialogu promovohet si një mjet për zgjidhjen e problemeve.
Liria dhe demokracia janë gjendja natyrore e shoqërive të vogla. Media e lirë është oksigjen për demokracinë.
Kjo është arsyeja pse njohuritë mbi median janë bërë jo vetëm një qëllim edukativ, por edhe një akt politik. Përmes promovimit të të menduarit kritik, ne luftojmë për të drejtën e lirisë së shprehjes, aksesit në informacion dhe pjesëmarrjes aktive në një shoqëri demokratike.
Këtë ia kemi borxh vetvetes, rinisë dhe shoqërisë tonë.









