M.CANKA: Nuk ka më afroulqinakë – HUMBI ETNIA E VOGËL ME ZEMËR TË MADHE

Në fillim të këtij viti në Ulqin vdiq File Kastrati, afroulqinakja e fundit. Ajo ishte  pasardhëse e drejtpërdrejtë nga të dy vijat, zezakëve të Ulqinit, apo siç i thërrasin në Ulqin, të Harapëve. Këtij qyteti tash i ka mbetur vetëm historia dhe kujtesa se ata njerëz shekujve të fundit e kenë dalluar si qytetin më interesant në Adriatik.

Disa decenie pasi osmanlinjtë e pushtuan Ulqinin, në vitin 1571, ky qytet u bë një vend me rëndësi për robër të krishterë. Robërit kusarët ulqinakë i kanë sjellë, kryesisht, nga brigjet e Italisë dhe të Dalmacisë. Ulqini, hap pas hapi e ka shtyrë Herceg-Novin i cili, në shekullin XVI ka shërbyer si pika kryesore për grumbullimin e robërve në bregun adriatik.

Zënia rob në atë kohë ka qenë një punë me leverdi, që paguhej mirë. Njerëzit, gjithë deri në fillim të shekullit XIX janë konsideruar si një mall më me vlerë dhe më i shtrenjti në Mesdhe. Robërit, robërit e luftërave dhe individë të dënuar kanë qenë kryesisht të lidhur me gali si rremtarë.

Kusarët ulqinakë, në princip, të grabiturit robër, s’i kanë konsideruar si robër lufte, përkatësisht s’i kanë shfrytëzuar si fuqi punëtore, duke shpresuar se në vend të saj do t’ia dalin të përfitojnë shpërblesë prej familjes, miqve ose bashkëqytetarëve të të robëruarit. Që ta arrinin këtë, kanë qenë të obliguar që të zënët robër, t’u lajmërohen komunave ku janë lindur apo familjeve të veta se po i po i mbajnë të burgosur në Ulqin dhe se mund t’i riblejnë në Pazarin e njohur të Robërve, në Kala. Në ndonjë kohë aty mund të gjendeshin edhe 200 robër!

Kah mesi i shekullit XVIII është shtuar kërkesa për, kryesisht, robërit nga Afrika. Në vitin 1770 kapidani ulqinak, Ali Basha, i ka sjellë dy robinja nga Egjipti, ndërsa grupi i dytë që është kthyer nga Afrika në vitin 1775, ka sjellë me vete trembëdhjetë robër dhe robinja. Pastaj ulqinakët kanë nisur të blinin robër në Tripoli (ku kryesisht kanë prurë robër nga Sudani dhe Çadi). Disa do t’i stërshitënin nëpër porte të tjera gjatë Mediteranit ose do t’i çonin në Ulqin, ku pas një kohe të caktuar, do të bëheshin qytetarë të lirë që do të merreshin me bujqësi, me ullishtari apo me detari.

Kur do ta fitonin lirinë, do të bëheshin sikur qytetarët e tjerë, do të flisnin shqip dhe do të visheshin ‘all turca’ (duke veshur brageshat e gjëra dhe qitur edhe fesin, sikur ulqinakët e tjerë). Këtyre afroulqinakëve shpesh do t’u jepeshin mbiemrat e kapidanave dhe tregtarëve që i kanë prurë ose të atyre që i kanë marrë në punë. Të tjerët zakonisht do t’i quanin ‘Harapi’ që në gjuhën shqipe (edhe turqishte) e ka kuptimin zezaku.

Kanë jetuar si besimtarë myslimanë, janë bërë pjesë integrale dhe e rëndësishme e bashkësisë. Banorët e Ulqinit, kryesisht detarët dhe tregtarët, kanë pasur bindje fetare ndaj diskriminimit racor, duke marrë parasysh atë se islami ka ndaluar çfarëdo diskriminimi, meqë se edhe vet i dërguari i Zotit, Muhamedi a/s/, ka qenë harap.

Përvoja i ka mësuar ulqinakët se në këto hapësira mund të qëndrohet vetëm nëse ruhet bashkimi, barazia  dhe solidariteti i të gjithë qytetarëve (pa marrë parasysh kush janë, cilës racë dhe fesë i takojnë apo nga kanë ardhur). Parametri kryesor ishte kontributi i tyre kësaj bashkësie.

Në atë kontekst, është lehtë të kuptohet pse afroulqinakët sikur Ali Harapi dhe Daut Kalija janë bërë kapidana me barkat e veta. Dauti ka qenë pronar i njërës nga barkat me vela më të mëdha ulqinake, si dhe pronar i një shtëpie fort të bukur me tavane të gdhendur në dru gjë që ishte një raritet artistik.

Madje, kur janë ftuar t’u shërbejnë sundimtarëve të tjerë, nuk kanë dashur ta lënë jetën e qetë dhe Ulqinin e vet.

Sikur që ka konstatuar hulumtuesi çek, Jozef Jan Svatek, i cili ka jetuar në Ulqin në fillim të shekullit XX, mbreti malazias, Nikolla I, i ka ofruar njërit afroulqinakut, Maksut Harapit, i cili ka qenë i gjatë 2,15 cm, të shërbente në pallatin e tij, në Cetinë. E ka refuzuar ofertën zemërmadhe duke e ditur se do të bëhej shkak i shpotitjeve e malazezve, të cilët kurrë më parë nuk kanë parë ndonjë zezak.

Pasi Fuqitë e Mëdha ia dorëzuan Ulqinin Malit të Zi, më 1880, një pjesë e kësaj popullate afro-ulqinake është shpërngulur në Shqipëri. Për shem-bull, pronari i barkave Bet Gjyli i ka marrë me vete tetë veta, ndërsa pesë, Mehmet Beci. Si rezultat i kësaj, në Ulqin kanë mbetur vetëm nja gjashtë-dhjetë harapë.

RIZA SHURDHA

fotograf, peshkatar dhe bohem

Para muralit: autori i artikullit

……………………………………………

Në shekullin XX afroulqinaku më i njohur ishte Riza Shurdha, fotograf, peshkatar dhe bohem, në Zagreb boksier dhe kamerier, luftëtar në Frontin e Sremit.

‘Ka qenë markant, jashtëzakonisht i bukur, i ngjasonte Muhamed Aliut, të përvetësonte me sharmin dhe energjinë pozitive. Nuk ka turist që ka ardhur në Ulqin, në Ranë, e të mos e kishte vërejtur menjëherë Rizon. Ai njeri ishte simbol i qytetit, ndërsa Komuna s’ka shumë kohë e ka punuar një mural’, – thotë kronisti ulqinak, Ismet Karamanaga.

Ai shton se zezakët e Ulqinit kanë qenë të hareshëm, të shoqërueshëm, solidarë.

‘Ata kanë pasur botëkuptim fare tjetër për bashkësinë dhe shoqërinë se siç është bërë sot rregull: shpirtngushtësi dhe vetjakësi. Këto veti më së qarti janë dalluar në peshkim, në Bunë, ku Rizon do ta takoni gjithmonë, nëse nuk ka qenë në dyqanin e vet të fotografit, në Ranë’, – konstaton profesori Karamanaga.

Një kujtim i bukur ruhet në klubin e njohur ‘Hajduk’ (‘bili’ – të bardhët, sipas flamurit të bardhë të Dalmacisë) nga Spliti, që ishte komisar për Ulqin. A duhet të theksohet se pikërisht me meritën dhe autoritetin e atij ‘komisari harap të’ të bardhëve’ ai klub futbollistik ka pasur më shumë anëtarë dhe simpatizantë në Ulqin, se ekipet shumë të popullarizuara nga Beogradi: ‘Crvena zvezda’ dhe ‘Partizni’

Me rastin e ndodhjes në Ulqin, kryetarja e Qendrës për Hulumtime Aafro-amerikane, dr. Paula D. Royster, i ka falënderuar qytetarët e tij, për qëndrimin human ndaj zezakëve gjatë shekujve.

Ajo ka theksuar se afroulqinakët, qytetit të vet, veç tjerash, ia kanë lënë lojën ‘Dum sharaveli’ që ka shumë elemente të folklorit afrikan, sidomos vallëzimi në qark.

‘ Ulqini është qyteti im’ – ka porositur zonja Royster.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

B.Sella: DUHET BËRË RIORGANIZIMI I BASHKËSIVE LOKALE

TV Ul-info, A. Ibrahimi: REGJISTRIMI PËR NE ËSHTË ÇËSHTJE THELBËSORE

Reportazh: Deti dhe ndërkulturalizmi