Rreth 90 për qind e xhiros turistike në Ulqin realizohet gjatë verës, prandaj organizimi i një sërë manifestimesh është një mjet i mirë për zgjatjen e sezonit, thonë në Organizatën Turistike.
Ky institucion, së bashku me administratën lokale, është bashkorganizator i pothuajse të gjitha manifestimeve që mbahen në rivierën e Ulqinit.
Shembulli më i mirë është manifestimi Sweet December, i cili në Ulqin organizohet në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit, me qëllim që edhe në këtë qytet, si në të gjitha vendet tjera bregdetare, Viti i Ri të pritet solemnisht në ambient të hapur.
Mirëpo, për këtë janë të nevojshëm edhe hotelet e mëdha, gjegjësisht ndryshimi i strukturës tejet të pafavorshme të kapaciteteve të akomodimit.
Ky proces po ecën me ritme shumë të ngadalta, kurse koha nuk është aleat i ulqinakëve. Konkurrenca është shumë e lëvizshme dhe në turizëm duhet punuar vazhdimisht për përmirësimin e cilësisë së ofertës.
Që kjo është e mundur, tregon shembulli i organizimit të manifestimit “Ditët e bamjes”, që tradicionalisht mbahet në gusht në Kala, në Pallatin Venecia. Praktikisht nga kjo bimë e mrekullueshme është krijuar një markë, me të cilën identifikohet si ai objekt, ashtu edhe i gjithë Ulqini. Mysafirët nga vendi dhe jashtë, në sheshin Servantes, mund të shijojnë degustimin falas të bamjeve dhe programin e pasur kulturo-argëtues, kështu që ky manifestim shpesh bëhet ngjarja e sezonit.
Sigurisht, për gjithçka duhet përkushtim i madh, punë dhe konsultime me ekspertë të mirë të marketingut si dhe përfshirja e komunitetit.
Në Organizatën Turistike mendojnë se duhet të mbahet edhe një tryezë e rrumbullakët ku ekspertët e shquar do të tregojnë rëndësinë e madhe dhe vetitë shëruese të bamjeve për shëndetin e njeriut, si dhe përdorimin e saj të gjerë në industrinë farmaceutike.
“Për fat të keq, këtu ende dihet shumë pak për të gjitha këto gjëra. Ne kemi një sërë produktesh të tjera të rajonit dhe bujqësisë sonë që s’janë në funksion të ofertës sonë turistike. E duhej të ishin. Këtu, para së gjithash, mendoj për ullinjtë dhe verën. Na mungojnë gjithashtu edhe kantina dhe restorante me ofertë autentike gastronomike”, thotë gazetarja Arjona Resulani.
Ajo mendon se një ofertë e tillë do të kontribuonte për imazhin e Ulqinit, ashtu siç ka ndodhur me festivalin “Skena Verore” apo me “Panairin e Librit”, i cili këtë vit do të organizohet për herë të 23-të. Sipas saj, kombinimi i kulturës, bukurive natyrore dhe ofertës gastronomike, së bashku me mirësjelljen dhe çmimet e përballueshme, janë faktorët kryesorë të atraktivitetit të rivierës së Ulqinit si destinacion turistik.
Ulqini është i njohur edhe për një sërë manifestimesh të tjera: në qershor mbahet ngjarja sportive “Trofeu Milan Milaniq”, ndërsa në shtator organizohet “Festivali ndërkombëtar i Dolcinium-it”, ku mblidhen grupe folklorike nga vendet ballkanike, si dhe kolonia rajonale e piktorëve “Ulqini në telajo”. Në mes të tetorit për të tretën herë do të mbahet “Mondiali i miqësisë në Ulqin”, manifestim që ka vendosur Ulqinin në hartën e qyteteve të mëdha sportive. Nismëtari i Mondialit është humanisti dhe biznesmeni i njohur Pavle-Pajo Pepgjonoviq, dhe edhe këtë vit do të mbledhë një numër të madh legjendash sportive nga ish-Jugosllavia.
Ky tekst është krijuar në kuadër të projektit të promovimit të mbrojtjes së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit në komunën e Ulqinit, financuar nga Ministria e Kulturës dhe Medias, nga Fondi për Nxitjen e Pluralizmit dhe Diversitetit të Mediave. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e OJQ “Ul info” dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ministrisë.