Radio televizioni i Malit të Zi dhe Televizioni kombëtar i Shqipërisë (RTSH) kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim. Me marrëveshje është parashikuar që shërbimet publike të dy vendeve të shkëmbejnë përmbajtjen programore, por edhe eksperiencën e të punësuarve, njofton RTMZ.
“Jam i kënaqur që me drejtorin e RTMZ kam nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes dy shërbimeve publike. Ky bashkëpunim përfshin fusha të ndryshme, produksione të përbashkëta, bashkëpunim në mes redaksive, gazetarëve, shkëmbimin e dokumentarëve si dhe çështje të ndryshme lidhur me bashkëpunimin në mes dy televizioneve”, tha drejtori i RTSH Martin Leka.
“Do të thoja që ky është shembull i mirë i bashkëpunimit të dy shteteve, dy shërbimeve publike, ku nëpërmjet disa koproduksionesh të përbashkëta, në fillim në fushën e turizmit, kulturës dhe ekonomisë, do të promovojmë vendet dhe popujt tanë, si dhe vullnetin e përbashkët në rrugën drejt Bashkimit europian”, tha drejtori gjeneral i RTMZ Rade Vojvodiq.